Institutit GAP ka prezantuar pritshmërinë e qytetarëve nga zgjedhjet komunale të 22 tetorit dhe preferencat e qytetarëve në lidhje me zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe asamblistëve.
Sipas rezultateve 56 për qind e qytetarëve do të votojnë partinë e njëjtë me atë që kanë votuar në zgjedhjet nacionale të 11 qershorit, 14 për qind e tyre janë deklaruar se do ta ndërrojnë, kurse 7 për qind të anketuarve nuk do të votojnë fare, raporton Ekonomia Online.
Berat Thaqi, Analist i Politikave në Institutin në Institutin GAP, tha se 70 për qind qytetarëve besojnë se zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të sjellin ndryshime pozitive për familjet e tyre, komunitetin ku jetojnë dhe gjithashtu presin një qeverisje më të mirë në nivel lokal.
Thaqi më tej ka shtuar se 30 për qind e qytetarëve janë shprehur skeptik dhe nuk presin që këto zgjedhje të sjellin ndryshime.
“Mbi 70% e qytetarëve janë të prirur të besojnë se zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të sjellin ndryshime pozitive për familjet e tyre dhe komunitetin ku jetojnë. Por, vetëm 7% e të anketuarve janë plotësisht të bindur se do të ndodhin ndryshime pozitive pas zgjedhjeve lokale. Rreth 56% e qytetarëve të anketuar janë shprehur se vota e tyre nuk do të ndryshojë nga ajo e zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, kurse 14% kanë deklaruar se do të votojnë ndryshe më 22 tetor”.
“Ndërkaq, rreth 7% e të anketuarve kanë deklaruar se nuk do të votojnë fare në këto zgjedhje. Sa i përket pyetjes se çka marrin për bazë qytetarët kur vendosin se cilin kandidat do ta votojnë për kryetar/e komune, shumica e të anketuarve janë përgjigjur se bazohen në programin dhe premtimet e kandidatit/es, por edhe në përvojën dhe edukimin e tij/saj. Rezultatet e anketës tregojnë se votuesit favorizojnë më shumë kandidatët e rinj në moshë. Programi, përgatitja shkollore dhe përvoja politike janë po ashtu faktorët kryesorë që ndikojnë në votën e qytetarëve edhe për kuvendin komunal”.
Kurse sipas tij, mbi gjysma e të anketuarve janë shprehur se marrin parasysh përkatësinë partiake të kandidatit dhe afërsinë familjare të kandidatëve.
Blendi Hasaj, Hulumtues në Institutin GAP, shpjegoi se nga të anketuarit del që votuesit ende nuk janë të hapur për të votuar një kandidat të një etnie tjetër pa marr parasysh përgatitjet e tij.
“Rezultatet tregojnë se votuesit nuk preferojnë të votojnë një kandidat të një etniteti tjetër nuk do ta votojnë pa marrë parasysh përgatitjen e tij. Më refuzues kanë qenë nëse do të votonin një kandidat për këshilltar komunal që nuk është i të njëjtës etni. Në aspektin regjional dallojmë se të anketuarit në regjionin e Pejës Ferizajt dhe Gjilanit kanë qenë më kategorik. Prej komuniteteve del që egjiptianët janë të votojnë një kandidat të një etnie tjetër”.
Hulumtimi është zhvilluar në 38 komuna të Kosovës. Të dhënat e përdorura në këtë raport burojnë nga hulumtimi në teren që është zhvilluar nga data 14 deri më 25 shtator 2017, raporton EO.
Në kuadër të këtij hulumtimi janë anketuar 1065 qytetarë të Kosovës, të moshës mbi 18 vjeç: shqiptarë 818, serb 150 dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera 97.