Instituti GAP ka prezantuar raportin me titull “Projektbuxheti 2019 – analizë e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore”, të gjeturat kryesore të analizës së buxhetit u prezantuan nga Agron Demi dhe Berat Thaqi.
Aty u tha se buxheti i Kosovës vazhdon të mbetet një nga instrumentet më të rëndësishëm me anë të së cilit do duhej të adresoheshin problemet thelbësore ekonomike dhe sociale të Kosovës, rapoton Ekonomia Online.
Ndër të gjeturat kryesore u përmendën rritja e buxhetit të financimit nga kreditë dhe të hyrat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit krahasuar me të hyrat e rregullta buxhetore. Sipas GAP shpenzimet për vitin 2019 të këtij institucioni pritet të jenë rreth 2.4 milion miliardë euro.
Ndërsa sa i përket investimeve nga niveli qendror e që vazhdojnë të orientohen në baza partiake, nga Instituti GAP bënë të ditur se komunat e menaxhuara nga AAK, janë favorizuar, ku kjo e fundit shpenzon 32% të buxhetit për kokë banori. Ndërsa komunat e qeverisura nga LDK dalin të jenë si më të diskriminuarat.
Agron Demi nga GAP tha se 82% e investimeve kapitale të nivelit qendror janë në vazhdimësinë e projekteve në vitet e kaluara, raporton EO.
“Sa i përket strukturës së shpenzimeve të gjeturat tregojnë se ky buxhet paraqet masë të madhe vazhdimësi të buxheteve nga vitet e kaluara. Kjo për arsye se ngjashëm me vitet e kaluara gati gjysma e investimeve kapitale do të menaxhohen nga MI-ja dhe shumica prej tyre do investohen në infrastrukturë rrugore. Gjithashtu 82% e investimeve kapitale të nivelit qendror janë në vazhdimësinë e projekteve në vitet e kaluara”, tha ai.
Berat Thaqi nga GAP tha se buxheti për veteranë është rritur shumë pak dhe buxheti i paraparë dhe i ndarë për 12 muaj është shpenzuar në muajin shtator.
“Po shfaqet vazhdimisht është keqkalkukimi për pensionet e veteranëve, Në anën tjetër, në mungesë të një ligji të ri për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ky institucion ka mbetur nën financimin e buxhetit të Kosovës edhe për vitin 2019. Përveç subvencionimit të RTK-së, edhe kategoritë tjera të subvencioneve siç janë pensionet dhe kompensimet janë rritur dukshëm, ndërsa me gjithë kontestimet për numrin e veteranëve të luftës, buxheti për këtë kategori është rritur tutje”.
“Megjithatë, në rast se nuk do të ketë ulje të numrit të veteranëve, buxheti i ndarë për vitin 2019 do të jetë i pamjaftueshëm. Zhvillim pozitiv për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm dhe që përputhet edhe me rekomandimet e Komisionit Evropian është rritja e buxhetit për shëndetësi dhe disa institucione që merren me funksionimin e tregut”, tha Thaqi.