Instituti për Studime te Avancuara (GAP), ka publikuar raportin “Ligji për Buxhet 2022: Favorizimet dhe diskriminimet e komunave në investime kapitale?”
Sipas GAP, qëllimi i këtij raporti është të analizojë shpërndarjen e projekteve kapitale të ministrive nëpër komuna si dhe të tregohet nëse ka pasur favorizim apo diskriminim për komuna në baza partiake.
“Si rezultat i vazhdimit të projekteve të mëhershme, në Ligjin për buxhet 2022 kishte pak hapësirë për projekte të reja. Mbi 86.6 milionë euro apo 86% e projekteve të ministrive në komuna janë vazhdim i viteve të kaluara, ndërsa rreth 10.3 milionë euro janë projekte të reja. Njësoj si në vitin e kaluar, komunat e Junikut dhe Deçanit janë përfitueset më të mëdha në raport me përqindjen e tërë investimeve kapitale krahas popullsisë”, është thënë në komunikatën e GAP, duke u shgtuar se komunat sikurse ajo e Shtërpcës dhe Graçanicës, përfitojnë më pak investime. “Gjithashtu, Komuna e Junikut mbetet komuna më e privilegjuar, me 122.74 euro e gjithsej investimeve kapitale të ministrive për kokë banori, ndërsa Komuna e Graçanicës mbetet si komuna me investimet kapitale më të ulëta për kokë banori, përkatësisht me shumën 4.11 euro. Në përgjithësi, dallimi në mes investimeve të ministrive drejt komunave në këtë vit është më e ulët sesa në vitin e kaluar”, është thënë në komunikatë.
Tutje GAP ka shtuar se gjatë vitit 2022, 20 komuna do të përfitojnë nga projektet e reja të ministrive (në vlerë rreth 10.3 milionë). “Nga këto projekte të reja, në raport me përqindjen e investimeve kapitale krahas popullsisë, Komuna e Kamenicës renditet e para me 27 euro investime për kokë banori. Pas saj radhiten komunat e Vitisë me 15.65 euro dhe e Podujevës me 14.54 euro. Ndërsa nëse i analizojmë investimet për nga shuma, komunat të cilat do të përfitojnë më shumë janë Prizreni (rreth 1.9 milionë euro), Prishtina (rreth 1.5 milionë euro), Podujeva (rreth 1.2 milionë euro) dhe Gjakova (1 milion euro)”, është thënë në komunikatë.