Sot, në Gjilan, Instituti GAP organizoi tryezë diskutimi ku publikoi raportin “Letërnjoftimi i komunave 2023”.
Ky raport tregon trendin e zhvillimeve kryesore në nivel komunal dhe përfshin fusha si demografia, ekonomia, arsimi, shërbimet publike, çështjet sociale, aspektet buxhetore, të hyrat, shpenzimet dhe borxhet, investimet kapitale dhe qarkullimet vjetore të bizneseve, numrin e bizneseve që regjistrohen dhe mbyllen gjatë viteve, dhe në fund, aspektet e transparencës buxhetore dhe burimeve njerëzore që ka pushteti lokal, në përgjithësi, për secilën komunë veç e veç.
Instituti GAP ka publikuar serinë ‘Letërnjoftimi i Komunave’ që nga viti 2009, të cilat kanë fokusuar zhvillimet kryesore nëpër komunat e Kosovës, duke ofruar të dhëna të krahasueshme ndër vite dhe mes sektorëve.
Raporti i këtij viti tregon se në gjysmën e komunave të Kosovës ka rënie të numrit të popullsisë, në vetëm tri komuna ka rritje të numrit të nxënësve në arsimin parashkollor, fillor dhe të mesëm; ka rënie të numrit të popullsisë në skemat e ndihmës sociale; në shumicën e komunave burrat përbëjnë pjesën më të madhe të të punëusarve dhe atyre që marrin buxhetin për paga, etj.
Në tryezë morën pjesë përfaqësues të drejtorive komunale nga Komuna e Gjilanit, Kamenicës dhe organizata të shoqërisë civile.
Diskutimet e pjesëmarrësve në tryezë u fokusuan kryesisht në gjetjet e raportit dhe në nevojën e hartimit të planeve konkrete komunale për adresimin e problemeve të evidentuara.
Raportin e plotë mund ta gjeni të bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar këtu.