GAP: Qeveria aprovoi Ligjin për Trepçën në kundërshtim me procedurat

Prishtinë | 06 Tet 2016 | 13:09 | Nga

Në mbledhjen e 111 të Qeverisë së Kosovës, mbajtur më 5 tetor 2016, Qeveria aprovoi Projektligjin për Trepçën dhe të njëjtin ia dërgoi Kuvendit për shqyrtim dhe aprovim. Me 6 tetor 2016, projektligji do të diskutohet në Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, kurse një dit më pas do të dal për lexim të parë në seancë plenare.

Në këtë mënyrë, Ligji për Trepçën mund të jetë një ndër ligjet i cili hyn në kategorinë e ligjeve të aprovuara në mënyrë të përshpejtuar, ani pse problematika që rregullon ka një historik të gjatë sa vetë institucionet e Kosovës: tani e 16 vite.

Katër Shkeljet Procedurale dhe Parimeve Demokratike të Aprovimit të Legjislacionit Projektligji për Trepçën nuk është pjesë e Strategjisë Legjislative për vitin 2016.

Përveç kësaj, duke mos hapur konsultime publike si dhe duke mos publikuar përmbajtjen e projektligjit, Qeveria shkel Rregulloren e saj të punës, saktësisht nenin 32. Edhe pse Rregullorja e Punës së Qeverisë parasheh aprovimin e përshpejtuar të ligjeve në raste të emergjencave, Ligji për Trepçën nuk mund të hyj në kategorinë e emergjencave. Qeveria aktuale ka pasur së paku dy vite në dispozicion për të përgatitur projektligjin dhe kohë të mjaftueshme që ky projektligj t’i kaloj procedurat e rregullta ligjore të aprovimit të legjislacionit.

Duke mos hapur konsultime publike, Qeveria ka shkelur edhe Udhëzuesin për Procesin e Konsultimeve Publike. Në këtë Udhëzues, Qeveria deklaron se “procesi i konsultimit i mundëson Qeverisë ta përmirësoj cilësinë e ligjeve derisa ato hartohen dhe para se t’i dorëzohen Kuvendit për shqyrtim, sikurse që i mundëson Kuvendit që të bëjë përmirësimet e fundit para miratimit përfundimtar të tyre”.

Por përkundër kësaj, Qeveria nuk e ka pa të arsyeshme të organizoj konsultime publike për Projektligjin për Trepçën. Ky Projektligj është vendos në seance plenare, ende pa u aprovuar në Qeveri, çfarë do të thotë se Kryesia e Kuvendit ka vendosur për debat për një dokument të cilin nuk e kanë parë as deputetët.

Kjo përbën shkelje të Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, saktësisht nenit 15, pika shtatë, ku kërkohet që deputetët të pajisen me materialin për diskutim, tri ditë para mbledhjes plenare.

Pikat kryesore të Projektligjit për Trepçën

Me ligjin e ri, Trepça shndërrohet në shoqëri aksionare, ku 80% e aksioneve do të jenë në pronësi të Qeverisë së Kosovës, kurse 20% e aksioneve në pronësi të punëtorëve. Ndërmarrja e re Trepça do të ketë tri njësi: 1. Minierat me flotacion Trepça – Stan Tërg; 2. Minierat me flotacion Kishnicë dhe Artanë; 3. Minierat me flotacion Kopaonik – Leposaviç.

Mënyra e organizimit dhe strukturës së Trepçës është lënë të definohet me statut. Bordi Mbikëqyrës do të jetë organi më i lartë qeverisës i ndërmarrjes së re Trepça, kurse menaxhimi i punëve të përditshme do të bëhet nga Bordi Menaxhues, i cili përzgjidhet nga Bordi Mbikëqyrës.

Metodologjia e zgjedhjes së bordeve është e njëjtë me zgjedhjen e bordeve të ndërmarrjeve aktuale publike. Problemi me këtë metodë të qeverisjes së ndërmarrjes Trepça sh.a. është se ekziston rreziku i politizimit të bordeve ashtu siç ka ndodhur me ndërmarrjet tjera publike. Politizim i bordeve të NP-ve ka sjellë shkatërrimin dhe humbjen e vlerës së aseteve dhe ulje të efiçiencës në këto ndëmarrje (siç është rasti me PTK-në). Duke marr parasysh këtë, në vend së kriteret sa i përket çeshtjes së transparencës dhe depolitizimit të bordeve të ashpërsohen, ky ligj përkundrazi i ulë këto kritere. Për shëmbull, përderisa Ligji për ndërmarrjet publike kërkon që një anëtarë i bordit të mos ketë qenë në tri vitet e fundit i emëruar politik, Projektligji për Trepçën kërkon që vetëm në periudhën aktuale anëtari i bordit të mos jetë anëtarë i forumeve politike.

Një problem tjetër sa i përket këtij ligji është se përderisa sa i përket formës së menaxhimit të Trepçës ligji i referohet Ligjit për ndërmarrjet publike, bordi i Trepçës do t’i ketë nëntë persona, ndërsa me Ligjin për ndërmarrjet publike numri maksimal i anëtarëve të bordit është shtatë. Një dallim tjetër sa i përket Ligjit për ndërmarrjet publike dhe Projektligjit për Trepçën është se punëtorët e Trepçës do të kenë potencialisht përfaqësuesin e tyre në bord për shkak se kanë 20% të aksioneve, ndërsa punëtorët e NP-ve aktuale në Kosovë nuk e kanë një mundësi të tillë. Instituti GAP ka rekomanduar që NP-të të kenë përfaqësues të tyre në borde si mënyrë për të ulur ndikimin e politikës dhe përfshirjen e tyre në proceset e rëndësishme të ndërmarrjes.

Projektligji lë mundësinë e pjesëmarrjes së sektorit privat përmes formave të ndryshme të investimeve. Projektligji parasheh që 20% e vlerës së rentës minerali ti transferohet komunave ku ndodhet njësia biznesore. Nga kjo rentë mund të përfitojnë Komuna e Mitrovicës Jugore dhe ajo Veriore, Komuna e Leposaviçit, Komuna e Novobërdës, Komuna e Graçanicës. Deri më tani, renta minerare është mbledhur nga Qeveria e Kosovës dhe komunat nuk kanë pasur përfitime nga renta, siç është shembulli i Komunës së Obiliqit. Ky trajtim special i rentës së Trepçës, krijon standard të dyfishtë dhe pabarazi në shkallën e perfitimeve financiare që komunat kanë nga niveli qendror.

Përveç grantit qeveritar i cili jepet për të gjitha komunat e Kosovës, komunat e veriut tashmë do t’i kenë dy burime shtesë dhe ekskluzive të financimit: 1) Fondi Zhvillimor i cili është rreth 4 milionë euro në vit; dhe 2) të hyrat nga rentës minerale të Trepçës.

Pretendimet e kreditorëve ndaj Trepçës do të trajtohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Historiku u përpjekjeve të Qeverisë për të zgjidhur Statusin Ligjorë të Trepçës
Më 25 gusht 2010, me vendimin 06/141, Qeveria kishte aprovuar Planin për ristrukturimin e Trepçës dhe përgaditjen e saj për tërheqjen e investimeve. I njejti vendim obligonte një grup ndërministror që të përgadis bazën ligjore për ristrukturimin e Trepçës.

Projektligji për Trepçën ishte pjesë e programeve legjislative për disa vite me radhë. Ishte hartuar një draft i ligjit për Trepçën, por asnjëherë nuk ishte proceduar në Kuvend.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme