Instituti GAP ka mbajtur konferencë për media ku prezantoi analizën mbi “Buxhetin e Kosovës 2017 dhe rekomandimet e Komisionit Evropian”.
Berat Thaqi, analist i politikave në Institutin GAP, theksoi se megjithëse ka përparime në adresimin buxhetor të rekomandimeve të raportit të KE-së, ka ende disa fusha për të cilat nuk është bërë mjaftueshëm. Buxheti për Këshillin Gjyqësorë dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës është rritur, mirëpo Prokurorisë Speciale (PS) si institucion kyç për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk i është ndarë buxhet për plotësimin e pozitave të kërkuara.
Brenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) shihet një përmirësim sa i përket investimeve kapitale për Agjencinë për Metrologji, por departamenteve të tjera nuk u janë rritur kapacitetet buxhetore, sidomos atyre që merren me akreditim dhe standardizim.
“Sa i përket rregullatorëve, buxhet i pamjaftueshëm është ndarë për Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe Agjencinë e Kosovës për Efiçiencë. Edhe sa i përket reformës në administratë publike nuk është shënuar përmirësim në rritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Administratës Publike (MAP) për monitorimin e kësaj reforme”, tha Thaqi.
Radio Televizioni i Kosovës (RTK) edhe këtë vit do të financohet nga buxheti i shtetit, megjithëse afati ligjor për këtë formë të financimit ka kaluar. Problem tjetër i adresuar në raportin e KE-së është mungesa e sigurisë në punë dhe mungesa e inspektorëve të punës. Gjithashtu, shpenzimet publike në shëndetësi janë ndër më të ulëtat në rajon, dhe asnjëherë deri më tani buxheti i ndarë për shëndetësi nuk i ka plotësuar nevojat.
Agron Demi, analist i politikave në Institutin GAP, potencoi se një nga problemet që përsëritet më së shpeshti në rekomandimet e Komisionit Evropian ka të bëj me mungesën e stafit në departamente kyçe që kanë të bëjnë me monitorim të politikave dhe zbatim të ligjeve.
“Përkundër asaj se kemi një administratë publike e cila është e mbingarkuar me të punësuar, institucionet kanë dështuar që të rrisin stafin në institucionet zbatuese dhe monitoruese të ligjeve. Një nga rekomandimet e GAP është që të bëhet risistemimi i stafit në mes institucioneve dhe departamenteve, e jo të punësohet staf shtesë”, tha Demi.
Përveç të gjeturave kryesore, analiza ka adresuar disa rekomandime lidhur me kapacitet buxhetore ndërsa linkun e plotë mund ta gjeni duke klikuar Këtu.