Deklaratat që disa shtete do të shërbejnë si garantuese për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së që gjenden në Hagë, mund t’i bëjnë dëm të akuzuarve, thotë avokati Taulant Hodaj, raporton Ekonomia Online.
Hodaj ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se nuk ka pasur asnjë garanci nga ndonjë shtet i tretë për lirimin e Thaçit dhe të tjerëve.
“Përfolja e këtyre vendeve ka ndodhë për shkak të dëshirës e vullnetit të mirë për protagonizëm në medie sepse nuk besoj që ato shtete janë ashtu që secili ta di që e jep garancionin. Ky garancion ka ardhur pasi në vendimin e Apelit një nga gjyqtarët ka thënë se nëse e kishim pasë një garancion nga shteti i tretë dhe cekë secili është ai dhe cilat janë specifikat e atij garancioni ndoshta do të duhej të merrnim një vendim tjetër. Pra nuk ka thënë Apeli që një garancion nga shteti i tretë do të mundësojë lirimin me kusht. Në këtë vijimësi po diskutohet-trumbetohet që ky e ai shtet kështu e ashtu, kjo nuk është serioze dhe mund t’u bëjë dëm vetë të akuzuarve”, është shprehur ai.
Gjyqtari i Speciales, Kai Ambos në opinionin e tij të ndarë nga vendimi për refuzimin e kërkesës për lirim me kusht ndaj të akuzuarve, eksploron mundësinë që në të ardhmen “shtete të treta” të mund të shërbejnë si garantues të mundshëm për ndonjë të akuzuar.
Avokati Hodaj ka theksuar që kërkesa për lirimin me kusht të të akuzuarve paraqet një rrugë serioze dhe të ndërlikuar, dhe se kjo nuk është diçka që mund të bëhet shpejt.
“Kjo çështje duhet të shkojë në rrugë shumë zyrtare, kur të bëhet kërkesa për lirim me kusht, kërkesa e radhës konform afatit ligjor mbrojtja e vetë të akuzuarve duhet të kërkojë nga një shtet i tretë ose përmes Kosovës që t’i ndihmojë të bëjë një sigurim apo të arrijë ta marr një garancion nga një shtet i tretë. Pastaj shtetet e treta i kanë procedurat e veta, kanë vullnetin, pastaj a ia lejojnë procedurat ligjore pra është procedurë e ndërlikuar e jo si po mendohet se mund të bëhet shpejt e shpejt edhe nëse ka vullnet shteti i tretë. Është faza kur duhet të ketë një marrëveshje mes Gjykatës Speciale dhe atij shteti të tretë që të bazohet ai lirim me kusht”, ka shtuar ai.
Tutje, Hodaj ka thënë për EO se lirimi me kusht është i paraparë me rregulla të procedurës së provave dhe mund të bëhet në Kosovë.
Mirëpo sipas tij nuk ka nevojë për një garancion specifik pasi kjo gjykatë funksionon nën juridiksionin e Republikës së Kosovës.
“Me rregulla të procedurës së provave lirimi me kusht është i paraparë që mund të bëhet në Kosovë. Është i paraparë parimisht ndërsa te një shtet i tretë ka ardh si propozim i mbrojtjes si një alternativë që ajo ka propozua. Nuk është në mënyrë decidive e cekur në rregullat e procedurës së provave ndërsa për Kosovën është e cekur. Sipas interpretimit tim, lirimi me kusht në Kosovë do të duhej të bëhej në Kosovë, por a ka nevojë me dhënë garancione kjo dihet më së miri nga vet mbrojtja e secilit të akuzuar që analizon secilin rast”.
“Nuk ka edhe nevojë specifike për garancione sepse vetë Gjykata Speciale i ka organet ligj zbatuese në Kosovë, e ka Policinë e vet, bashkëpunimin me EULEX, por për më shumë në bazë të ligjit për Dhomat e Specializuara, Policia e Kosovës dhe çdo institucion tjetër është i detyruar të zbatojë urdhëratë e tyre, pra nëse e kish lirua me kusht i ka mjetet që mund të shikojë nëse po përmbushet në krahasim me një shtet tjetër ku Gjykata Speciale nuk i ka organet ligj zbatuese, Kosova i ka”, është shprehur ai.
Për fund Hodaj tregon se përfshirja e institucioneve të Kosovës në këtë rast pa koordinim me mbrojtjen mund të konsiderohen si tentim për ndërhyrje në drejtësi.
“Por nëse mbrojtja mendon se përtej bazës ligjore duhet edhe ndonjë dokument shprehimor nga një institucion përkatës i Kosovës atëherë mund ta bëjë, por duhet në koordinim me mbrojtjen. Nuk besoj që vendimet individuale proaktive të Kosovës do t’i ndihmonin, përkundrazi sepse nëse i shohim parashtesat e Gjykatës Speciale shihet që me shumicën e veprimeve që i kanë marrë qeveritë e kaluara dhe presidenca ata i marrin si kundër argumente dhe thonë që kanë tentua me ndërhy në drejtësi, pra duhet pasur shumë kujdes në këtë drejtim”, ka përfunduar avokati Taulant Hodaj për EO.
Ish-kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Hysen Berisha, ditë më parë ka deklaruar në mediet lokale se Kroacia ka ofruar garanci për lirimin me kusht nga Gjykata Speciale, të krerëve të UÇK-së.
Ndërkohë, presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq ka demantuar shkrimet në medie në Serbi se kinse ai i ka ofruar garanci Hagës për t’ia mundësuar ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që të mbrohet në liri.
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi dhe ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.