Gashani: Bashkësitë fetare kanë rol të rëndësishëm në dërgimin e mesazheve kundër të shtënave festive

Prishtinë | 20 Gus 2024 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të fushatës vetëdijësuese “Festo më zemër, jo me armë”, në Ministrinë e Punëve të Brendshme është mbajtur takimi i grupit për implementimin e fushatës me përfaqësuesit e Bashkësive Fetare në Republikën e Kosovës.

Në këtë takim, ku morën pjesë përfaqësuesit nga Bashkësia Islame e Kosovës, nga Kisha Katolike dhe nga Kisha Protestante, zëvendësministri i Punëve të Brendshme z. Blerim Gashani, respektivisht Koordinatori Nacional për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta dhe Eksplozivëve, theksoi së në këtë fushatë është e rëndësishme që të gjithë të punojmë së bashku, fillimisht në parandalimin e të shtënave festive dhe pastaj edhe në rritjen e numrit të raportimeve nga ana e qytetarëve.

Zëvendësministri Gashani theksoi se takimi me bashkësitë fetare në këtë fushatë ka një rëndësi të veçantë, për kontributin që mund të japin në shpërndarjen e masazheve kyçe tek besimtarët e tyre, në mënyrë që të rritet vetëdija për rrezikun që vjen nga të shtënat festive, si dhe të ngritët numri i rasteve të raportimeve.

“Në këtë gjithëpërfshirje, roli juaj si përfaqësues të bashkësive fetare është shumë i rëndësishëm, për të kuptuar e shpjeguar pasojat që vijnë nga të shtënat me armë, së pari për pasojat individuale të qytetarit që gjuan me armë, si dhe për rrezikun që shkaktojnë të shtënat me armë, që në disa raste për pak sekonda festën e kthejnë në tragjedi”, theksoi zëvendësministri Gashani.

Ndërsa përfaqësuesit e bashkësive fetare u zotuan se ata do të jenë bashkë me institucionet e sigurisë, në dërgimin e mesazheve tek besimtarët, nëpërmjet ligjëratave që kanë gjatë predikimeve fetare, por edhe gjatë punës së tyre të përditshme.

Fushata vetëdijësuese me moton “Festo me zemër, jo me armë”, ka për qëllim të reduktojë incidentet e keqpërdorimit të AVL-ve, rritjen e kontrollit dhe parandalimin e të shtënave festive gjatë muajve të pushimeve verore dhe festimeve të fundvitit, keqpërdorimit të AVL-ve në dhunën në familje, dhunën në shkolla, etj

Të ngjashme