Gashi: Digjitalizimi është e ardhmja jonë

Prishtinë | 22 Nën 2023 | 17:24 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, mori pjesë në panelin me temën “Si mund të transformohet burokracia në një vektor inovacioni?, në kuadër të konferencës ndërkombëtare për reformat në administratën publike, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe përkrahje të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Zëvendësministrja Gashi në fjalën e saj foli mbi rëndësinë që ka digjitalizimi i shërbimeve në administratën publike për qytetarët e vendit, dhe në veçanti për mërgatën tonë e cila jeton dhe vepron jashtë Republikës së Kosovës.

“Digjitalizimi është e ardhmja jonë, por ende ka shumë punë për të bërë. Për ta funksionalizuar në mënyrën më të mirë këtë proces, kemi nevojë për masat e sigurisë online shtesë, si dhe profesionistë të kualifikuar që do të sigurojnë një tranzicion të lehtë dhe në kohë”, tha zëvendësministrja Gashi, duke thekuar disa nga sfidat që kanë të bëjnë me angazhimin e profesionistëve të kualifikuar të kësaj fushe të cilët janë të gatshëm të sjellin përpara këtë tranzicion.

“Një ekip profesionistësh nga fusha e teknologjisë së informacionit nuk është e lehtë të rekrutohen, pasi administrata publike nuk është konkurruese me sektorin privat në këtë fushë. Mirëpo, sot përparimi në reformimin e administratës publike arrihet atëherë kur struktura është e vendosur në vend”, tha zëvendësministrja Gashi, duke përmendur vendimin e mirë të Kryeministrit për të pasur të angazhuar në këtë proces edhe Zyrtarin Përgjegjës të Teknologjisë (Chief Technology Officer, CTO) në Zyrën e Kryeministrit.

“Kosova ka një popullsi me aftësi në teknologji dhe një shtrirje të internetit 100%. Si Republikë e Kosovës kemi funksionalizuar platformën E-Kosovën, e cila është bërë qendra kryesore për shërbimet dixhitale. Ndërtuar mbi këtë, po punojmë për zgjerimin e E-Kosovës për të ofruar shërbime jashtë kufijve tanë.”, tha Zëvendësministrja.

Panelin, ku folën edhe panelistët: profesoresha Dr. Alketa Peci nga Fondacioni Getulio Vargas (FGV); ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin e Republikës se Shqipërisë, Elisa Spiropali; dhe ministri i Punëve te Brendshme, z. Xhelal Sveçla, e ndoqën zyrtarë të lartë të administratës shtetërore, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe lokale, partnerë, donatorë dhe studentë.

Të ngjashme