Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se partia e tij ka pësuar politikisht nga rrëzimi i Qeverisë ku ishte në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Megjithatë, sipas tij, kjo ishte zgjidhja më e mirë për interesat e Kosovës.
LDK-ja më 25 mars kishte votuar mocionin e mosbesimit për të rrëzuar Qeverinë Kurti. Gashi ka thënë në KTV se partia e tij e di që koha e rrëzimit s’ishte më e mira, duke marrë parasysh se ishte kohë pandemie.
“Mendoj se ne jemi të vetëdijshëm se koha kur është rrëzuar Qeveria s’ishte më e mira e mundshme dhe po ashtu jemi të vetëdijshëm që s’ishte aspak popullore të rrëzohet qeveria në fillim. Por duke marrë parasysh në çka po kalonim dhe rreziqet me të cilat po përballej Kosova në arenën ndërkombëtare, menduam se zgjidhja më e mirë për Kosovën, edhe pse mund të jetë në dëm të LDK-së, është mocioni i mosbesimit dhe të hapet rruga për qeveri të re”, ka thënë ai.
“Ai veprim ka kosto politike, por e dimë se përfituesi më i madh është Kosova dhe për interes të Kosovës ne jemi të gatshëm të marrim veprime të duhura edhe pse është kosto elektorale”.
Tutje Gashi ka thënë se Kurti kishte gabuar me shpalosjen e vendimit për heqjen graduale të tarifës ndaj mallrave serbe. Sipas tij, Kurti ishte dashur të hiqte menjëherë taksën e të mos thoshte se do ta bëjë pas 15 ditësh.
Ka thënë se qasja e tij ishte arbitrare në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian “duke vendosur afate kohore të paarsyeshme”.
Si gabim të dytë të Kurtit, Gashi ka thënë se “vendosja si instrument politik, apo deklarimi si instrument politik i reciprocitetit, ishte i paarsyeshëm”.