Shefi i GP-së së LDK-së, Arben Gashi, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti për sulmin që ua bëri organeve të drejtësisë, e në veçanti kryeprokurorit Blerim Isufaj.
Deputeti Gashi i tha kryeministrit Kurti se sulmoi drejtësinë dhe se i njëjti ka tentuar ta kap sistemin prokurorial e gjyqësor.
Po ashtu deputeti Gashi tha se në qeverisjen Kurti janë emëruar 100 gjyqtarë e 29 prokurorë.
“Pasi që kryeministri e pa që nuk jemi këtu e filloi një monolog mashtrimi, edhe pse me votë e refuzoi debatin. Kryeministrit po ja them disa fakte, e para prokuroria nuk mundet me ngritë akuza në bazë të AKI-së, sa për kapjen e sistemit të drejtësisë, nga rreth 450 gjyqtarë në qeverisjen tuaj janë emëruar 100 gjyqtarë, 23 janë emëru në janar, 29 në prill, 48 gjyqtarë në korrik, prej rreth 210 prokurorëve janë emëru në qeverisjen tuaj 29 prokurorë, më shumë asnjëherë për një kohë kaq të shkurtë”, tha Gashi.
Gashi tha se drejtësia është sistem i pavarur dhe nëse përzihet politika bëhet puç institucional.
“Ai është sistem i pavarur kushtetues, nëse përzihen bëjnë puç institucional dhe atë e paralajmërove ti sot këtu”, i tha Gashi-Kurtit.