Asamblisti i LDK’së, Shefki Gashi, heziton të përmend një person se kush mund t’i dalë përpara Shpend Ahmetit në garën për Kryetar të Prishtinës.
Mirëpo, është i sigurt se LDK mund ta rikthejë pushtetin në kryeqytet. Por, thotë se duhet të plotësohen disa kritere nga kandidati që do të synojë udhëheqjen e qytetit më të madh në Kosovë.
“Së pari, duhet të jetë një person që ka përkrahjen e strukturave dhe të partisë”, thotë Gashi, në një bisedë për Express.
“E dyta, duhet të jetë një person që ka vota dhe përkrahjen e banorëve të Prishtinës”, ka shtuar ai.
LDK humbi Prishtinën më 2013 në një garë ndërmjet Shpend Ahmetit dhe Isa Mustafës. Ky i fundit ka udhëhequr LDK-në edhe në tri humbje tjera në zgjedhje nacionale. Nën udhëheqjen e Mustafës, Partia themeluar prej Rugovës ka dalë e treta në zgjedhjet nacionale, pas Partisë së Shpend Ahmetit.
Sidoqoftë, Shefki Gashi thotë se Shpend Ahmeti dhe Vetëvendosje nuk janë të pamposhtur në Prishtinë.
Por, thotë se kandidati i LDK-së për Kryetar duhet të ketë projekte të mëdha për ndryshimin e lagjeve të Prishtinës. E, jo sikur projektet e Shpend Ahmetit për kifle e kunja
“Është vështirë me mund Shpend Ahmetin, pasi ka bërë propagandë por asnjë projekt s’e ka të realizuar. Dy projektet më të mëdha të tij janë kiflet dhe kunjat. Në fakt, as në kohën time s’kemi ngremë vetëm një lloj ushqimi. Shikojini nëpër shkolla dhe shihni se 90 për qind të kifleve shkojnë dëm”, ka shtuar ai.
“LDK’ja Prishtinën e fiton me projekt, pra, kandidati i LDK-së duhet të ketë projekte të mëdha për lagjet kryesore të Prishtinës”, ka shtuar ai.
Deri më tash dihet se Shpend Ahmeti do të jetë përsëri kandidat i Vetëvendosjes për Kryetar të Prishtinës. Në LDK janë përmendur: Ismet Beqiri, Lumir Abdixhiku, Haki Demolli e Arban Abrashi.
Por, zyrtari i LDK-së në Komunën e Prishtinës, thotë se Partia ende s’ka fol për emra meqë po merret me rezultatin e zgjedhjeve nacionale.
Shefki Gashi ka qenë pjesë e strukturave të LDK-së dhe udhëheqjes së Komunës së Prishtinës prej pasluftës. Një kohë ka mbajtur pozitën e Nënkryetarit në kohën e Ismet Beqirit.