Gashi: Ligji për Obiliqin do të ndryshojë jetën e qytetarëve

Obiliq | 11 Shk 2017 | 10:15 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ligji për Obiliqin që u miratua vitin e kaluar me anë të së cilit synohet të përmirësohet gjendja mjedisore në këtë komunë, tashmë ka filluar të implementohet. Me këtë Ligj, përveç mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve parashihen edhe shumë benefite për qytetarët, të cilët jetojnë në këtë komunë.

Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online kryetari Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili shpreson se ky Ligj do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e gjithëmbarshëm të mirëqenies së qytetarëve të kësaj komune, por edhe të vendeve tjera për rreth.

Gashi tha se qëllimi i këtij Ligji është përcaktimi i zonës së Obiliqit dhe rreth tij si zonë me status të veçantë mjedisor, pastaj përcaktimi i masave adekuate për krijimin e kushteve për një jetë më cilësore dhe më dinjitoze për banorët e kësaj zone të rrezikuar.

“Meqë është aprovua edhe në Kuvendin e Kosovës tani ka filluar edhe implementimi i tij. Ne kemi filluar t’i njoftojmë të gjithë ata të cilët janë të prekur sa i përket implementimit të ligjit. Në këtë rast me ligj janë përcaktuar detyrat ose më mirë të themi janë saktësuar detyrat edhe për nivelin qendror edhe nivelin lokal, gjithashtu edhe për operatorët. Unë besojë që Ligji do të ketë ndikim shumë të madh në përmirësimin e ambientit në radhë të parë pastaj për shëndetin, çështja e punësimit, çështja e zhvillimit të infrastrukturës, pastaj çështja e tantiemës të cilën nuk e ka përfituar asnjëherë më herët komuna jonë, tani e tutje me ligj do të përfiton 20%”, tha ai.

Në Nenin 9 të këtij Projektligji sqarohet pjesa e mjeteve financiare të dedikuara për Zonën e Veçantë, për të cilin Qeveria do të ndajë një grant të përhershëm, i cili do të menaxhohet nga Komuna e Obiliqit dhe Ministria e Financave.

Në pikën 3, të Nenit 9, thuhet se granti për Zonën e Veçantë sigurohet përmes ndarjes së 20 për qind të mjeteve që Qeveria i inkason në emër të eksploatimit të thëngjillit të kësaj zone nga operatori ekonomik.

Ndërsa, duke folur për buxhetin e ndarë për këtë vit nga Qeveria e Kosovës, për këtë komunë, ai ka thënë se ka një ngritje prej 70% më shumë se në vitet e kaluara, deri sa ka theksuar se beson që pas miratimit të Ligjit do të kenë mundësi edhe më të mëdha.

Kryetari Gashi, për Ekonomia Online ka treguar edhe për disa nga projektet e realizuara që nga marrja e mandatit të tij e deri më tani.

“Projektet janë të shumta, mirëpo unë po i përmendi disa që janë më të rëndësishme ose edhe që janë projekte të mëdha kapitale. Deri më tani ne i kemi bërë ndërtimin e urës në Plemetin –Hamidi që ka qenë mund të them një problem më shumë politik se sa ekonomik dhe është një projekt i madh kapital. Pastaj është shtëpia e shëndetit që në çdo rrethanë është përmirësuar. Edhe infrastruktura në të gjitha shkollat është përmirësuar. Shtëpia e Kulturës është një projekt tjetër madhor që është investim nga Ministria e Kulturës. Nga Ministria e Bujqësisë kemi pasur vazhdimisht donacione sa i përket fermerëve tanë. Kemi realizuar edhe projekte të tjera në bashkëfinancim me ministri të ndryshme”, tha ai.

Gashi ka thënë se vetëm në vitin 2015 sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shkalla e sëmundjeve të kancerit ka qenë 30% më e ngritur në Komunën e Obiliqit në krahasim me komunat tjera.

I pyetur nëse do të rikandidojë edhe për një mandat në krye të Obiliqit, Gashi tha se ende nuk ka vendosur për një gjë të tillë.

Gashi ka thënë se për këtë së pari do të konsultohet me subjektin politik të cilit i përket e që është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Ndoshta është pak e hershme me thënë, por besoj që fillimisht do të konsultohem me subjektin, pastaj me të gjithë shokët dhe miqtë që janë në komunë dhe besojë se do të nxjerrim një përfundim”. përfundoi Gashi.

Të ngjashme