Gashi: Moslirimi i Sylejman Selimit, çështje teknike e gjykatës

Prishtinë | 04 Kor 2017 | 12:46 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Tomë Gashi, avokat i Sylejman Selimit, në një intervistë për EkonomiaOnline ka thënë se Gjykata Supreme është dashur të lirojë dje klientin e tij bashkë me Sami Lushtakun.

Sipas tij, vendimi nga Gjykata Supreme është dashur të vije për të gjithë të akuzuarit e rastit Drenica. Ai thotë se mosdhënia e vendimi edhe për Selimin mund të jetë çështje teknike.

“Nuk kemi marrë as një vendim nga Gjykata Supreme. Unë besoj që kemi të bëjmë me çështje teknike vonesë në dërgim të vendimit të gjykatës. Shumë shpejt do ta marrim vendimin edhe për Sylejman Selimi edhe për Jahir Demaku. Në bazë të logjikës dhe punës së gjykatës vendimi është dashur të vije në të njëjtën kohë kur është lëshuar vendimi për Sami Lushtaku, besoj që kemi të bëjmë me çështje teknike të vonesës së panevojshme të paarsyetuar, por sido që të jetë shumë shpejt ku vendim duhet të na dërgohet”, tha Gashi, raporton EO.

Gashi beson se për Sylejman Selimin gjykata do të marrë vendim për lirim, por thotë se rasti i Lushtakut dhe Selimit nuk janë të njëjtë.

“Ne sigurisht që presim lirimin e Sylejman Selimit nga kjo aktakuzë meqenëse akuza ka qenë e përbashkët me Sami Lushtakun, por sido që të jetë situata e tij juridikisht nuk është e njëjtë me të z. Sami Lushtaku. Janë edhe disa pika të aktakuzës së njëjtë për të cilat rasti është dërguar në Gjykatën Supreme të Kosovës me mjete të jashtëzakonshme juridike ngase Sami Lushtaku ka pasur një pikë të aktakuzës ndërsa për Sylejman Selimi ka edhe pika të tjera për të cilat ai faktikisht është shpallur fajtor dhe presim vendimin përfundimtar me mjete të jashtëzakonshme juridike që duhet ta sjell Gjykata Supreme e Kosovës, por kjo është krejtësisht një rast tjetër”, theksoi ai.

Avokati Gashi nuk e ka mohuar se të akuzuarit në rastin “Drenica 1” mund të gjykohen nga Gjykata Speciale, por ka mohuar se mund të gjykohen për rastin e njëjtë, raporton EkonomiaOnline.

“Secili në Kosovë mund të gjykohet nga Gjykata Speciale për të cilën mjerisht kanë votuar deputetët e Kuvendit të Kosovës në vitin 2015 mirëpo për asnjërin prej tyre nuk ka kurrfarë arsye që të ngritët ndonjë aktakuzë atje. Prokuroria ka hetuar këtë rast që nga viti 2012 dhe tani janë bërë pesë vite dhe nuk ka ndonjë arsye që të ketë ndonjë akuzë ndaj tyre. Në bazë të ndryshmit për Gjykatën Speciale nuk mund të gjykohen për rast të njëjtë dhe posaçërisht nuk ka kurrfarë arsye që të gjykohen për raste të cilat kanë qenë të vendosura nga gjyqtar dhe prokuror të EULEX-it sado që dëmi është krijuar”, tha ai.

Ndërsa akuzën ndaj Selimit e ka quajtur një skandal juridik.

“Thjeshtë rasti i Sylejman Selimit ka të bëjmë me rast politik sepse asnjë provë për fajësinë e tij nuk ka qenë kurrë dhe është një skandal juridik i përmasave jashtëzakonisht të mëdha të shkeljes së të drejtave të tij. Gjeneral Sylejman Selimi është dënuar me vullnetin politik të EULEX-it dhe jo që ka pasur ndonjë provë kundër tij” përfundoi ai.

Selimi është shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile. Ai akuzohej se “ka cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi të paidentifikuar nga fshati Gllanasellë, i ndaluar në qendrën e ndalimit në Likoc, duke e rrahur teksa ai po e pastronte dyshemenë e burgut”.

Të ngjashme