Ministri i Diasporës së Kosovës, Dardan Gashi, ka thënë se nga sot është zgjidhur problemi i pritjes në kufi, që e ka shoqëruar vazhdimisht diasporën, duke vendosur softuerin për pagesa online.
Sipas tij, kjo pajisje do të përshpejtojë procedurat e kalimit në kufi për bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë.
Këto komente Gashi i bëri në hapje të konferencës katërditore “Diaspora Flet”, e cila ka mbledhur së bashku mbi 135 profesionistë nga diaspora, Kosova dhe rajoni, raporton Ekonomia Online.
Sipas organizatorëve, konferenca synon të avokojë të drejtat politike, shoqërore, kulturore për shqiptarët jashtë vendit.
Duke folur rreth planeve të ardhshme për diasporën, Gashi tha se kanë nënshkruar marrëveshje me Shqipërinë arsimin plotësues, qendrat kulturore dhe një televizion i përbashkët shqiptar për diasporën.
“Ne kemi një problem të vazhdueshëm me automjete me diasporën, ballafaqohen me një pagesë dhe pritje në kufi. Prej sot s’do të ketë nevojë diaspora të presë në kufi, kemi vendosur softuerin për pagesa online dhe do të përshpejtohet procedura”.
“Politika kyç që jemi duke e ndjekur edhe me ministrin Majko, diaspora shqiptare është e njejtë. Kemi nënshkruar marrëveshje të përbashkët me Shqipërinë per arsimin plotësues, qendrat kulturore dhe një televizion i përbashkët shqiptar për diasporën. Kërkesat e diasporës jemi duke i marrë seriozisht”, ka thënë Gashi.
Liza Gashi, drejtoreshë e programeve në OJQ-në “Gremin”, tha se diaspora shpesh shihet sikur para, por për ta janë mendje të ndritura për të cilat ka nevojë rajoni.
Ajo u bëri thirrje pjesëmarrësve nga diaspora që përmes rrugëtimit të tyre tu ndihmojnë gjeneratës së re, sepse siç tha ata kanë nevojë për storie pozitive.
“Duhet t’i dimë rrënjët dhe të njohim vendin, mbi të gjitha të njohim potencialin që këto vende kanë. E di që shumë shpesh juve ju shohin si para, por për neve ju jeni mendjet që i duheni këtij rajoni. Kështu që ju ftoj në rrugëtim për me i ndihmu gjeneratës së re. Sot dukeni si VIP-a, por rrugëtimet e juaja janë me shumë sfida. Kërkoj që këto rrugëtime t’i ndani me ne. Të rinjtë e këtij rajoni kanë nevojë për storie pozitive, kanë nevojë të dinë që për te arritur diçka në jetë ka shumë sfida por pengesat që na dalin nuk janë të patejkalueshme”, u shpreh Liza Gashi.
Fjolla Vukshinaj, koordinatore e programeve në organizatën joqeveritare “Gremin”, tha se kanë organizuar këtë konferencë për të krijuar ura lidhëse mes diasporës dhe institucioneve shtetërore.
“Kjo vjen pas një pune dyvjeçare të Greminit me dialogun e strukturuar për të drejtat e diasporës, nismë e cila synon të avokojë të drejtat politike, shoqërore, kulturore për shqiptarët jashtë vendit. Pas takimeve në diasporë dhe shumë aktiviteteve kemi menduar që kjo konferencë ka me qenë manifestim dhe do të jetë një avokim direkt te politikanët, deputetët, ligjvënësit, qeveritarët për të ndryshuar apo përmirësuar sistemin, për të qenë më i qasshëm për diasporën tonë”, ka thënë Vukshinaj.
Në ditët në vazhdim përmes paneleve të ndryshme, vizitave në terren nëpër institucione publike si ne nivel qendror ashtu edhe lokal do të mundësohet lidhja, bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashkët i diasporës me vendet e tyre të origjinës.