Frika e kompanive austriake për pasiguri ekonomike në Kosovë është fajtori që diaspora po përballet me probleme në kufi. Kështu deklaroi ministri i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, gjatë raportimit të tij në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.
Gashi tha se si qeveri kanë propozuar që në mënyrë që Austria të ndihmojë për Kartonin e Gjelbër të hyjnë në dorëzani me kompanitë austriake që në rast të vonesave të jetë qeveria ajo që i merr përsipër përgjegjësitë financiare, raporton Ekonomia Online.
“Sa i përket çështjes së policës kufitare, vullneti i mirë po përfundon kur po vjen puna te aspekti financiar dhe pasiguria e kompanive austriake për me marrë këtë. Ne kemi ofru që ne si qeveri me hy si dorëzani dhe kjo është tentativa e fundit që të binden këto kompani që të marrin përsipër këtë pjesë…”.
Këto komente Gashi i bëri gjatë përgjigjes në pyetjet e kryetares së komisionit për Punë të Jashtme,Vjosa Osmani.
Osmani ia kujtoi Gashit që kanë kaluar 5 vite që nga propozimi që Austria të ndihmojë Kosovën ashtu sikurse edhe për kodin telefonik, raporton EO.
Kreu i Ministrisë së Diasporës ia ka hedhur fajin KQZ-së sa i përket numrit të vogël të diasporës të cilët kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit.
“Sa i përket zgjedhjeve, KQZ-ja ka dështu totalisht sa i përket zgjedhjeve të diasporës. Prandaj është bëra ftesa që të dalim me një dokument ose koncept dhe të detyrojmë KQZ-në që t’i ndërmarrë hapat deri në momentin kur të ketë ndryshime kushtetuese”.
Çështjen e numrit të vogël të votuesve e ngriti edhe deputetja Time Kadrijaj.
“Është shqetësuese çështja e votimeve se ju po thuani që i keni 700 mijë përfaqësues të diasporës e ata që kanë votu kanë qenë 10 mijë”.
Në anën tjetër, deputeti Zahir Berisha u interesua për procesin e regjistrimit të diasporës.
Ministri Gashi bëri të ditur se, si proces fizik, regjistrimi ka përfunduar mirëpo është duke vazhduar online.
“Regjistrimi ka përfunduar si proces fizik në vitin e kaluar, duket se numri në atë kohë kur është mbyllë ka qenë pak përmbi 300 mijë, tash pjesa tjetër që është duke vazhdu është online”.
Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike është ankuar edhe për mungesë të buxhetit.
Ai tha se si pasojë e kësaj nuk po arrijnë që t’i plotësojnë kërkesat e mërgimtarëve sa i përket organizimit dhe subvencionimit të aktiviteteve.
“Kërkesat janë të mëdha për aktivitet, edhe këtu, edhe në diasporë. Ne i kemi në vit maksimum 100 mijë euro me i nda për aktivitete, por në anën tjetër 74 milionë ka raportu Banka Qendrore remitanca nëse i shtojmë edhe të tjerat afrohet në 1 miliardë kontributi i diasporës e na i kemi vetëm 100 mijë euro me ia kthy, duhet me shiku këtë problem”.