Për herë të dytë në arenën e famshme “O2 Arena” në Londër. Për herë të dytë ndaj një boksieri të famshëm.
Senad Gashi po e kërkon shpërthimin në skenën e madhe të kategorisë më të famshme të boksit profesionist, kategorisë së rëndë, shkruan “Koha Ditore”. 28-vjeçari i lindur në Pejë, të shtunën (sonte) do të përballet në “O2 Arena” me Dereck Chisoran, ish-kampionin e Evropës në kategorinë e rëndë dhe ish-sfiduesin e titullit të botës.
Gashi po e kërkon shpërthimin edhe me fjalë të mëdha. Ka premtuar shumë para meçit me Chisoran dhe ka qenë goxha prezent në faqet e internetit që shkruajnë për boks.
Së fundi Gashi ka theksuar se në mendjen e tij ka luftuar dhjetë herë me Chisoran, nëntë herë e ka mposhtur dhe një herë është diskualifikuar. Meçi i tij do të transmetohet nga transmetuesi i famshëm në Britani të Madhe, Sky Sports. Gashi shpreson që me fitore ndaj Chisoras të shtyjë veten drejt një lufte për titull këtë vit.