Gashi priti në takim ambasadorin turk, Çagri Sakar

Prishtinë | 17 Pri 2019 | 15:17 | Nga Ekonomia Online

Në takimin që zv.kryeministri Dardan Gashi, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, pati me ambasadorin turk në Kosovë, Çagri Sakar, u bisedua  për diasporën shqiptare në Turqi, për mësimin e gjuhës shqipe dhe për investimet strategjike.

Zv.kryeministri Gashi falënderoi ambasadorin turk, Sakar, përkatësisht shtetin turk që gjuhën shqipe e ka futur si lëndë zgjedhore në kuadër të mësimit të rregullt  në Turqi. Aktualisht, mësimi shqip zhvillohet në shkollat fillore të  qyteteve Izmir dhe Bursë. 

Gashi e informoi ambasadorin turk se në kuadër të investimeve strategjike  ka  interesim nga kompani turke për lehtësirat e investimit në Kosovë, si dhe për  aplikimin për statusin e investitorit strategjik. Po ashtu, ai u shpreh i gatshëm që  marrëveshja ekonomike mes dy shteteve  të jetësohet sa më parë.

Ambasadori  Çagri Sakar falënderoi zv.kryeministrin Gashi, duke treguar interesim për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e arsimit dhe në ekonomi. Gjithashtu, shprehu gatishmëri që të thellojë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në fushën e arsimit, përkatësisht për diasporën shqiptare në Turqi.  ​

Të ngjashme