Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovë, Naim Rexha, vizituan Komunën e Podujevës ku u priten nga kryetari i Komunës, Agim Veliu.
Në këtë takim ministri Gashi dhe kryetari Veliu kanë biseduar për çështjet që preokupojnë këtë komunë, ndërsa theks të veçantë i dhanë çështjes së rendit dhe sigurisë për qytetarët e Podujevës dhe shqetësimin për numrin e madh të aksidenteve që po ndodhin në rrugët e këtij rajoni dhe përkrahën krijimin e “Task Forcës” për siguri në komunikacion.
Gjithashtu u bisedua për rolin dhe angazhimin e policisë në mbrojtjen e pronës publike dhe private, veçmas në mbrojtjen e pyjeve nga prerësit ilegalë.
Ministri Gashi diskutoi edhe për Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi të kësaj komune, ku tha se është shumë me rëndësi që ky Këshill të mbahet funksional në mënyrë që të adresohen të gjitha shqetësimet e qytetarëve.
Pas këtij takimi ministri Gashi së bashku me Drejtorin Rexha kanë vizituar Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare për të parë nga afër se si po zhvillohen punimet aty.
“Sot realizuam një vizitë në Komunën e Podujevës, me qëllimin që të informohem për zhvillimet që komuna përballet dhe angazhimet që janë marrë shtesë në kuadër të komunës për tu mobilizuar në ditët e verës. Ky mobilizim vjen si nevojë e shtimit të fluksit të bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë në perëndim, dhe në këtë drejtim komuna është zotuar që kanë marrë angazhime shtesë për të plotësuar kërkesat që qytetarët kanë” tha ministri Gashi.
Ministri Gashi shprehu mirënjohjen për UNOPS-in për punën e vazhdueshme që janë duke e bërë në këtë pikë kalimi, si një nga pikat më të frekuentuara momentalisht. Kolonat në këtë pikë kalimi vijnën si rezulatat i palës serbe e cila nuk po i respekton marrëveshjet e Brukselit, ndërsa probleme tek pala kosovare nuk ka dhe për një veturë pritja në pikë kontrollin e Kosovës zgjatë 3-5 minuta.