Gati 79% e qytetarëve të kënaqur me punën e Shpend Ahmetit

Prishtinë | 11 Gus 2017 | 10:35 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

78.99 për qind të qytetarëve të Prishtinës janë shprehur të kënaqur me punën e kryetarit Shpend Ahmeti, sipas një ankete të kryer nga organizata joqeveritare Iniciativa për Progres (INPO) rreth kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Por, kjo kënaqshmëri bie sa i përket punës së drejtorive (39,16%) dhe të Kuvendit Komunal (36.97%). E më të pakënaqur, prishtinasit janë me mungesën e parkingjeve (81.51%).

Albulena Nrecaj, drejtoreshë  e INPO-s, tha se Indeksi është dizajnuar të bëjë vlerësimin e kënaqshmërisë me shërbimet komunale të cilat ofrohen nga komuna bazuar në kompetenca vetanake.

“Indeksi ka bërë matjen e 15 lloje të ndryshme të shërbimeve komunale, si dhe matjen e kënaqshmërisë së qytetarëve me pushtetin lokal duke i pyetur qytetarët për nivelin e kënaqshmërisë së tyre me punën e kryetarit, Kuvendit Komunal dhe të drejtorive komunale. Të dhënat e dala nga anketa, përfaqësojnë mendimet e qytetarëve të moshës 18 vjeç e më shumë, gra dhe burra, të cilët janë intervistuar përgjatë muajit maj dhe qershor 2017, në zonat urbane dhe rurale të Prishtinës”.

Shpend Mustafa, hulumtues në INPO, gjatë prezantimit të raportit tha se anketa ka treguar se qytetarët e Prishtinës në përgjithësi janë të kënaqur me shërbimet komunale dhe punën e Kryetarit të Komunës dhe Drejtorive Komunale. Ndërsa, në listën e pakënaqësive dominojnë mungesa parkingjeve publike, pamundësia për të lëvizur lirshëm në trotuare, mirëmbajtja e rrugëve, si dhe mungesa e aktiviteteve sportive dhe rinore. Negativisht është vlerësuar edhe puna e Kuvendit Komunal.

Mesatarja aritmetike e kënaqshmërisë me të gjitha shërbimet komunale në Prishtinë është 58.37%, ndërsa e pakënaqshmërisë 34.23%.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, i cili i pranishëm në prezantim, tha se të gjitha këto vlerësime do të ndikojnë pozitivisht gjatë planifikimit buxhetor për të ardhmen.

Ai siguroi se në mandatin e dytë të mundshëm të kryetarit Shpend Ahmeti do të eliminohen edhe pakënaqësitë e qytetarëve për parkingjet dhe hapësirat lëvizëse në trotuare.

Sekretarja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Rozafa Ukimeraj, tha se të dhënat dhe rezultatet e INPO-s janë të përafërta me rezultatet e raportit të Performancës së Komunave për vitin 2016, të cilin e harton MAPL në baza vjetore në kuadër të sistemit të menaxhimit të performancës komunale.

Ajo u shpreh se është i rëndësishëm kontributi i INPO-s në matjen e kënaqshmërisë së qytetarëve për shërbimet komunale, pasi këto rezultate do të ndikojnë në avansimin e cilësisë së shërbimeve. “Bashkëpunimi me INPO-n dhe komunat në përgjithësi, ka ndikuar dhe po ndikon në avansimin e qeverisjes së mirë dhe ofrimit të shërbimeve të mira për qytetarë”, theksoi ajo.

Ndërkaq, u shpreh se komuna e Prishtinës është njëra ndër 6 komunat me performancë më të lartë në nivel të Kosovës, sipas matjes së performancës nga MAPL-ja.

Të ngjashme