Gati gjysma e brazilianëve thonë se Bolsonaro s’ka faj për viktimat e Coronavirusit

Prishtinë | 16 Gus 2020 | 10:11 | Nga Ekonomia Online

Gati gjysma e brazilianëve mendojnë se presidenti i vendit, Jair Bolsonaro, nuk ka aspak përgjegjësi për më shumë se 100,000 persona të vdekur nga koronavirusi, që është shifra e dytë më e lartë në botë.

Të dhënat e këtij sondazhi u publikuan të shtunën në gazetën “Folha de Sao Paulo”. Sipas këtyre të dhënave, 47 për qind e brazilianëve nuk e fajësojnë presidentin për numrin e viktimave të pandemisë, ndërsa vetëm 11 për qind e mendojnë të kundërtën.

Brazili e ka gjendjen më të rëndë të pandemisë në botë pas Shteteve të Bashkuara dhe menaxhimi i situatës nga qeveria është kritikuar shumë nga ekspertët shëndetësorë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Vetë Bolsonaro dhe disa anëtarë të familjes së tij janë prekur nga koronavirusi. Bashkëshortja e tij, Michelle, u infektua në fund të korrikut, ndërsa gjyshja e saj vdiq nga Covid-19 këtë javë.

Djali i katërt i Bolsonaros, Jair Renan, që është 22 vjeç, gjithashtu ka dalë pozitiv në testin për koronavirus, njoftoi nëna e tij në Instagram.

Bolsonaro e ka promovuar përdorimin e një ilaçi të dyshimtë për ta luftuar virusin. Hidroksiklorokina nuk ka dhënë dëshmi se ndikon në parandalimin apo largimin e sëmundjes së re.

Të ngjashme