Gatitu para gjenerales

Prishtinë | 26 Maj 2018 | 16:04 | Nga

Në mars të këtij viti, Irfete Spahiu u dekretua në gradën e gjenerales, duke u bërë gruaja e parë në Kosovë me gradën më të lartë ushtarake. Ajo foli për Kallxo.com për karrierën dhe jetën e saj dhe të ardhmen e FSK-së.

Udhëheqësi i Njësitit të rreshtuar të Forcës së Sigurisë kujdeset që gjithçka të jetë në vijë të rregullt para se aty të parakalojë gjeneral, Ifete Spahiu.

Është një mëngjes i zakonshëm i fillim javës dhe Irfete Spahiu kryen obligimet rutinë duke pranuar raportet dhe duke shpërndarë detyrat, në krye të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj.

Marrëdhënia e saj e punës deri pak muaj më i parë ishte më rutinore tani kur ajo numëron pak muaj që kur u ngrit në gradën e gjeneralit duke u bërë gruaja e parë në këtë pozitë.

Juristja që veshi uniformën së pari si pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare, për të vazhduar me Trupat Mbrojtëse dhe më vonë me Forcën e Sigurisë, në një intervistë për Kallxo.com, rrëfen për jetën dhe karrierën e saj nëpër tri formacione të ndryshme ushtarake në Kosovë.

“Filloj me një raportim për 24 orëshin tim dhe pastaj fillojnë takimet, aktivitetet ditore. Asnjëra ditë nuk është e njëjtë, duke mos i ikur rutinës dhe detyrave specifike” thotë ajo.

Irfetja 44 vjeçare thotë se përgjegjësia e saj është menaxhimi i të gjitha aktiviteteve të kësaj qendre trajnuese në të cilën kryhet ushtrimi, trajnimi dhe shkollimi i pjesëtarëve të FSK-së.

Ajo thotë se ngritja në hiearkinë e lartë të FSK-së i ka rritur rolin dhe përgjegjësitë njëkohësisht. “Megjithatë është një ndjenjë e mirë, mbi të gjitha është një besim që këtë gradim ia referoj vlerësimit që më është bërë për punën time tani dy dekada”, tha Spahiu.

Spahiu është fëmija i parë i dy prindërve nga Hani i Elezit, që më pas ishin transferuar në Drenicë. Nga ata ajo thotë se ka marrë forcën, kulturën e punës dhe dedikimin për vendin.

Gjeneralja që më herët thotë se nuk i kishte pëlqyer të mbante armë tregon se si më pas arma u bë pjesë e përditshmërisë së saj.

“Kur i jam bashkëngjitë UÇK-së, ajo nuk ka qenë edhe shumë publike në atë kohë. Kjo ka qenë befasi për shumëkënd nga familja e gjerë, duke e pasur parasysh reagimet që i janë adresuar edhe babit. Kur ka dalë publikisht UÇK më kanë pa në uniformë”, shtoi Spahiu.

Ajo thotë se familja e saj ishte përkrahja më e madhe për të në luftë dhe në paqe. Rreshtimin në UÇK, Spahiu thotë ta kishte ndjerë për obligim dhe synim për ta parë vendin të lirë.

“Unë e them dhe e ndjej. Në atë kohë si 22 vjeçe e kam ndje që kam obligim për vendin dhe për popullin tim”, thotë Spahiu.

Ajo tregon për vitet e saj të mëhershëm kur shërbeu në uniformë, ecjen në karrierë dhe sfidat që thotë ta kenë kalitur.

“Sfidat në rrethana të tilla, në kohët e 90-ta, ti bashkangjitesh UÇK-së, ndihma që është dashur t’i jepet popullatës . Kemi pas momente të rënda dhe jemi përball me humbje, të shokëve, kolegëve”, tregon ajo.

Gjeneralja Spahiu, po drejton qendrën e stërvitjes dhe trajnimit për kadetët e rinj.

Ata që do të jenë ushtarët e ardhshëm të Forcave të Armatosura të Kosovës. Ajo thotë se nuk ndien asnjë dallim në aspektin gjinor dhe se përfaqësimi gjinor në këtë institucion është më i mirë se asnjëherë më parë.

“Integrimi i gruas në FSK është në të gjitha njësitë dhe të gjitha nivelet e gradave. Unë për një kohë kam qenë kolonelë si e vetmja grua por kjo s’do të thotë që prej rekrutit ushtar deri te koloneli, janë të përfshira grada në grada”, thotë Spahiu.

Para se të merrte pozitën e Gjeneral Brigade, Spahiu ishte për pesë vite komandant në Komandën e Stërvitjes dhe Doktrinës.

“Dita e parë e imja ka qenë zotimi se bashkërisht me stafin se do t’i vazhdojmë planifikimet për vitet në vazhdim. Çdo ditë është kënaqësi kur sheh frytet e punës, e investimet që i bën stafi”, tha ajo.

Spahiu e sheh Forcën e Sigurisë së Kosovës të gatshme për t’i ndihmuar vendeve fqinje në raste të ndonjë fatkeqësie.

“FSK ka rritur kapacitetet e veta dhe është në gjendje që t’i ndihmoj edhe fqinjëve ose regjioneve. Për çdo ditë po e dëshmon vetën se është e gatshme me qenë partnere e respektueshme”, shton ajo.

Gjeneralja Spahiu thotë se pjesëtarët e FSK-së janë të gatshëm për t’u bërë ushtarë.

Por jo vetëm për misione civile e emergjente, gjeneralja e parë e FSK-së thotë se forca qysh tash është e gatshme për t’u shndërruar në Forcë të Armatosur, një proces që ka mbetur pezull për shkak të pengesave politike në Kuvend.

“Kemi hyrë në këto planifikime sepse është vlerësuar se pjesëtarët e KDS-së, të FSK-së, kanë kapacitete dhe aftësi me fillu këtë proces (transformimin e FSK-së).”, shton Spahiu.

Sipas saj, transformimi nuk mund të ndodh përnjëherë pasi ka procedura.

“Është një pako, një synim që ndërron misioni, ndërrojnë gjërat. Misioni, detyrat e përgjegjësitë, nuk është proces që ka me ndërru për një herë, është proces që jemi të gatshëm me fillu. Është synimi se si do ta bëjmë ushtrinë”, thotë ajo.

Spahiu tregon po ashtu edhe për çështjet që do ta sfidojnë këtë proces.

“Duhet të investojmë në pajisje, armatime, ushtritë tjera kanë ecur sa i përket investimeve e të tjera. Cilësinë duke ia bashkangjitur pajisjeve. Përgatitja profesionale e pjesëtarëve është, kjo është dëshmuar nga kurset trajnimet e pjesëtarëve që bëhen jashtë vendit”, tregon gjeneralja.

“Me stafin që kemi është duke u bërë një punë e mirë, po them se po punohet. Deri më tani s’kemi pasur ndonjë shqetësim. Të gjitha këto procese të këtyre grupeve punuese nuk i kemi vetëm vetë, kemi partnerë dhe nga ata kemi këshilla e sugjerime”, tregon ajo./Kallxo.com

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme