Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Gabriel Escobar nuk dhanë mesazhe të paparashikuara në vizitën në Beograd, ku u takuan me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Përveç kërkesës së përsëritur për rifillimin e dialogut, dy diplomatët do të përpiqen ta bindin Vuçiqin që të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti para zgjedhjeve në Serbi. Escobar dhe Lajçak po punojnë që takimi të zhvillohet në shkurt ose në fillim të marsit, raporton gazeta serbe, Danas duke u thirrur në një burim nga qarqet diplomatike.
Siç raporton ky medium, Lajçak dhe Escobar do të përpiqen gjithashtu ta formojnë mekanizmin e paraparë me Marrëveshjen e Brukselit lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.