E përditshmja spanjolle, Marca, raporton se transferimi i Eden Hazardit nga Chelsea në Real Madrid mund të zyrtarizohet më 12 ose 19 maj të këtij viti.
Sezoni 2018/19 për Real Madridin tashmë ka marrë fund, përkundër që ka ende ndeshje për t’i zhvilluar. Kjo pasi që madrilenët e kanë siguruar një vend në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve por s’mund ta fitojë titullin e ligës.
Real Madridi tashmë e ka kthyer vëmendjen te sezoni i ardhshëm. Drejtuesit e klubit madrilen besojnë se do ta kenë Eden Hazardin në skuadër sapo të përfundojë ky sezon.
Megjithatë, Chelsea ka ende shumë për të luajtur deri në fund të sezonit, pasi që gara për kualifikim në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve është ende e ngushtë në Premierligë, si dhe ata janë në gjysmëfinale të Ligës së Evropës.
Për këtë arsye, sipas të përditshmes spanjolle Marca, transferimi i Hazardit nga Chelsea në Real Madrid nuk është zyrtarizuar ende.
Klubi londinez nuk dëshiron që ta marrë vëmendjen nga synimet e Maurizio Sarrit për kualifikim në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, duke bërë të ditur se ylli i skuadrës së tyre do të largohet për në Spanjë këtë verë. Për këtë arsye, negociatat janë bërë larg syrit të publikut.
Nëse Chelsea nuk arrin në finale të Ligës së Evropës, atëherë 12 maji është vendosur si data kur transferimi mund të zyrtarizohet. Kjo është data e ndeshjes së fundit të Chelseat në Premierligë. Megjithatë, shumë zyrtarë kanë sugjeruar se kjo datë është shumë herët.
Zakonisht, “Los Blancos” presin deri në fund të sezonit të tyre para se ta zyrtarizojnë ndonjë transferim të tyre. Kjo do të thotë që zyrtarizimi i blerjes së Hazardit mund të presë deri më 19 maj.
Hazardi shihet si lojtari që mund ta ngjallë Real Madridin, veçanërisht pas largimit të Cristiano Ronaldos. Zinedine Zidane dëshiron ta stërvitë belgun dhe marrëveshja mes dy klubeve është afër kompletimit.
Një çështje që nuk është zgjidhur ende është shuma që Real Madridi do të duhet ta paguajë për Hazardin, pasi që Chelsea i dëshiron 240 milionë euro për të, përkundër që 28-vjeçari e ka vetëm edhe një vit në kontratën e tij në Stamford Bridge.
Fillimisht, Real Madridi nuk dëshironte të paguante një shumë kaq të larta parash për një lojtar që është afër përfundimit të kontratës, mirëpo për shkak të sezonit të dobët, Florentino Perez pritet ta paguajë çfarëdo shume për ta blerë belgun.