Sulmet e pandriçuara ndaj gazetarëve i dekurajojnë ata për t’u marrë me këtë profesion.
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) Shkëlqim Hysenaj, në intervitën dhënë për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, ka thënë se mosndëshkueshmëria e kërcënuesve dhe atyre që i sulmojnë gazetarët është një motivim për kryerësit e këtyre veprave dhe një dekurajim për gazetarët që të vazhdojnë me punën e tyre.
Ai ka treguar se vetëm nga janari i këtij viti sipas të dhënave të AGK-së ka pasur 21 raste të kërcënimeve dhe të sulmeve ndaj gazetarëve.
Ai ka thënë se Kosova në aspektin e sigurisë së gazetarëve ka shënuar regres në dy vjetët e fundit.
Hysenaj ka deklaruar se zvarritja e hetimeve dhe gjykimeve po e bën ambientin për ushtrimin e profesionit të gazetarit edhe më të pasigurt dhe dekurajues.
Ai ka kërkuar nga institucionet e hetuesisë dhe gjyqësori që të merren më seriozisht me rastet e kërcënimeve dhe të sulmeve ndaj gazetarëve.
Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë” as gazetarët nga komunitete tjera nuk janë të sigurt në ushtrimin e profesionit të tyre.