Një sasi e konsiderueshme kanabis sativa është gjetur e fshehur në pyllin e Novoselës. Rreth 30 thasë të mbushura me lëndë narkotike u gjetën në një gropë në mes të këtij fshati.
Bëhet fjalë për rreth 900 kg, pasi një thes peshon 30 kg. Nuk dihet ende se kujt i përket lënda narkotike. Droga u zbulua rastësisht nga grupi i xhirimit të Top Channel, i cili po filmonte në zonën e pyllit të Novoselës mbeturinat që ka sjellë lumi Vjosë pas reshjeve të ditëve të fundit.
Dyshohet se nga frika e kontrolleve të policisë, zotëruesit e drogës, pasi e kanë përpunuar, e kanë fshehur atë në pyll. Burime për Top Channel tregojnë se kanabisi i grirë shërben vetëm për t’u paketuar si “çokollatë”, e cila më pas është më e lehtë për transport. Policia e Vlorës nuk ka patur dijeni për këtë sasi droge që ishte hedhur në këtë zonë.
Punonjësit e Policsë së Vlorës kanë krehur gjithë zonën, pasi dyshojnë se mund të ketë edhe thasë të tjerë të hedhura nëpër pyll. Po ashtu, janë marrë në pyetje dhe banorë të zonës për të verifikuar kultivuesit.
Gjatë muajve të fundit, në Vlorë ka patur një sërë operacionesh ku janë sekuestruar sasi të mëdha hashashi apo mjete që do e transportonin atë drejt Italisë.