Gazetari kosovar “përplaset” me zëdhënësit e BE-së në konferencën për media

Prishtinë | 31 Mar 2022 | 14:41 | Nga Ekonomia Online

Gazetari kosovar Augustin Palokaj ka kërkuar nga zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, përgjigje konkrete në pyetjen e parashtruar mbi pjesëmarrjen e kriminelëve të luftës në fushatën zgjedhore të partisë së Aleksander Vuçiqit. Zëdhënësja e KE-së ka folur mbi rëndësinë e zhvillimit të zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare duke shmangur pyetjen konkrete të gazetarit Palokaj. Kjo më pas nxiti reagimin e kryezëdhënësit të Komisionit Evropian, Eric Marmer.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, në konferencën e sotme për gazetarë, është përgjigjur në mënyrë të përgjithsuar mbi rëndësinë e zhvillimit të zgjedhjeve në Serbi në përputhje me ligjet ekzistuese pa u përgjigjur konkretisht në pyetjen e gazetarit kosovar Augustin Palokaj mbi raportimet për pjesëmarrjen e personave të dënuar për krime në lufte në fushatën zgjedhore në Serbi.

“BE-ja ka qëndrim të qartë parimor për nevojën për pajtim dhe qëndrime ndaj ngjarjeve të luftës. Procesi zgjedhor është në vazhdim e sipër dhe ne përsërisim rëndësinë e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse dhe kredibile, të zhvilluara në përputhje me ligjet ekzistuese dhe standardet ndërkombëtare”, ka thënë Pisonero

Palokaj më pas ka marrë sërish fjalën duke kërkuar që të ketë përgjigje konkrete në pyetjen e tij.

“Duke respektuar rregullën që ne parashtrojmë pyetjen dhe ju përgjigjeni do ta vlerësoja nëse mund të ketë përgjigje specifike në pyetjen specifike, e di se është duke u zhvilluar një kampanjë zgjedhore në Serbi por kjo ishte për pjesëmarrjen e kriminelëve të dënuar të luftës në fushatën zgjedhore pra a është kjo problem për ju a e shihni ju këtë si problem”, ka vazhduar pyetjen e tij Palokaj,

Pas kësaj ka reaguar kryezëdhënësi i KE-së, Eric Mamer, i cili i ka thënë gazetarit kosovar se ata përgjigjen në pyetjet e parashtruara dhe e kupton se përgjigjet mund të mos i pëlqejnë parashtruesit të pyetjes.

“Mendoj se Ana është përgjigjur, e keni keqkuptuar pikëpamjen time në fillim, ju i keni pyetjet ne i bëjmë përgjigjet, mund të mos ju pëlqejnë përgjigjet por kështu funksionon”, ka thënë ai duke ia kaluar fjalën zëdhënëses Pisonero.

Tutje, zëdhënësja Pisonero, në herën e dytë tha se në BE s’ka vend për glorifikuesit e kriminelëve të luftës.

“Nuk ka vend në Evropë për mohim të gjenocidit, revizionizëm dhe glorifikim të kriminelëve të luftës, që shkon në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane. Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme. liderët në Ballkanin Perëndimor duhet të japin shembull duke pranuar atë që ka ndodhur, të respektojnë viktimat dhe në mënyrë të sinqertë të promovojnë pajtimin duke u përballur me rrënjët e urrejtjes që çuan deri te gjenocid”, ka thënë Pisonero.

Të ngjashme