Gazetarja austriake: Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës po merren seriozisht, Kurtit iu anuluan disa takime

Prishtinë | 20 Qer 2023 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

Gazetarja austriake Franziska Tschinderle ka reaguar lidhur me sanksionet e fundit të paralajmëruara nga BE-ja ndaj Kosovë.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, ajo ka shkruar se sanksionet e BE-së ndaj Kosovës siç duket po merren seriozisht.

Ajo thotë se ka dëgjuar se disa takime me Albin Kurtin tashmë janë anuluar, mes tyre edhe një takim me ministrin e jashtëm austriak Schallenberg në aeroportin e Vjenës.

“Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, siç duket, po merren seriozisht. Dëgjoj të anulohen disa takime me Albin Kurtin, ndër to edhe një takim me ministrin e Jashtëm austriak Schallenberg në aeroportin e Vjenës”, ka shkruar ajo në Twitter.

Të mërkurën e kaluar, zëdhënësi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e kishte konfirmuar se po merreshin masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të veprimeve të qeverisë së saj.

“Pavarësisht thirrjeve tona, kryeministri Kurti ka dështuar të ndërmarrë hapa dhe aksione për të deeskaluar (situatën), plani i tij pesëpikësh dështon që të adresojë në mënyrë adekuate problemet që shkaktuan e që janë rrënjët e krizës… dhe për të cilat presim që t’i adresojë”, kishte deklaruar Stano.

Ai kishte folur për masa që do të kishin efekt të menjëhershëm.

“Bashkimi Evropian në linjë me 27 vende anëtare ka përgatitur propozime për masa me efekt të menjëhershëm.”

Ai përmendi se masat do të kishin pasoja financiare e politike.

Të ngjashme