Gazmend Syla – drejtor i Informacionit në televizionin Klan Kosova, ka thënë se pas vendimit për t’ia dërguar Presidentit Hashim Thaçi vendimin për mandatar, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ia ka ngushtuar vetes periudhën kohore për ta formuar Qeverinë e re.
Kështu ka thënë Syla në emisionin Info Magazaine, duke shtuar se e mira e krejt kësaj situate të re është se pas dy javësh do të merret vesh se a do të ketë koalicion apo jo.
“Barra për ta bërë koalicionin me VV-në tash bie mbi LDK-në, por LDK nuk ka kurrfarë presioni sepse thjeshtë mund të thotë se nuk jam e interesuar që të hyjë në Qeveri dhe ju bëjeni [Qeverinë] me kë të doni. Mirëpo LDK-së i mbetet të deklarohet nëse dëshiron koalicion me VV-në apo jo”.
“Ndërsa Kurti nuk ka zgjidhje tjetër sepse i ka ngushtuar mundësitë për të bërë koalicion me partitë tjera. Tash e ngushtoi edhe periudhën kohore se deri kur duhet ta bëjë Qeverinë. Tashmë atij do t’i ecë koha shumë më shpejt”.
“Nëse LDK refuzon, ai [Kurti] mundet ndoshta të provojë ta formojë Qeverinë me ndonjë parti tjetër, por duke qenë se ka pasur një deklarim krejtësisht injorues ndaj partive tjera – ai pret një koalicion me LDK-në”.
Sa i përket video-mesazheve të Kurtit, Syla ka thënë se nuk e di nëse kjo është mënyra e duhur, por është mirë që po del dhe po deklarohet për të mos e lënë opinionin në terr informativ.
“Kurti disi duhet të flasë – disi duhet t’i drejtohet LDK-së dhe opinionit sepse takime nuk po zhvillohen, konferenca për shtyp nuk po mbahen sepse tashmë ai është në pozitë jashtëzakonisht të palakmueshme që të dalë dhe të bombardohet me një milion pyetje të gazetarëve”.
“Atij i duhet ta zgjedhë një formë se si të komunikojë me njerëzit. A është mënyra më e mirë kjo me video-mesazhe, unë nuk e di, por një formë ai duhet ta gjejë. Mirë se po del dhe po thotë diçka. Në tre raste kur doli – neve na dha lajme të mëdha. Të paktën po deklarohet dhe ai nuk po na len në një terr informativ”.
“Tashmë është një situatë e jashtëzakonshme, e mira e krejt kësaj është që ne për dy javë e marrim vesh se çfarë do të ndodhë”.