Grupi i Deputetëve të Pavarur dhe zyrtarë tjerë të larguar nga Lëvizja Vetëvendosje pritet që shumë shpejt t’i bashkohen Partisë Socialdemokrate. GDP-ja dhe drejtuesit e PSD-së janë afër arritjes së marrëveshjes për bashkim, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ndërsa në Ditën e Evropës (më 9 Maj) ka gjasa që të mbahet Kuvendi Zgjedhor i PSD-së, në të cilin do të anëtarësohen të larguarit e Vetëvendosjes dhe më pas do të zgjidhen strukturat e reja udhëheqëse të njërës ndër partitë më të vjetra në vend.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Bajram Kelmendi, ka thënë për gazetën “Zëri” se deri më tani kanë mbajtur dy takime me përfaqësuesit e Grupit të Deputetëve të Pavarur dhe se janë marrë vesh për disa çështje.
“Kemi biseduar me Dardan Molliqajn dhe me Aida Dërgutin, pastaj kemi mbajtur mbledhje kryesia e partisë në të cilën kemi marrë një vendim. Jemi marrë vesh që Zekë Ceku, nënkryetari i partisë, të shkojë së bashku me Kaqusha Jasharin, që është Kryetare Nderi e Partisë, të bisedojë edhe një herë. Kanë biseduar edhe një herë dhe janë marrë vesh për disa detaje”, ka deklaruar Kelmendi.
Ai më tej ka thënë se pret që shumë shpejt të finalizohet marrëveshja me të larguarit e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët do të anëtarësohen në parti dhe më pas do të zgjidhen strukturat e reja udhëheqëse të PSD-së…