Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa e ka akuzuar Mimoza Kusari-Lilën për tendenca lokaliste, duke thënë se iniciativa për parti të re nisi është lokale sepse nisi në komunën e Gjakovës.
Ai ka ironizuar me Kusari-Lilën duke i thënë që në vend të të bërit anketë për ta zgjedhur kreun e partisë, është më mirë ta bëjnë përmes ankandit publik.
Gecaj është shprehur se mbetet të shihet nëse “alternativa” do të shpërbëhet si FER-i, ose do t`i bashkohet Lëvizjes Anarkiste të Vetëvendosjes.
Lexoni postimin e plotë të tij:
“ALTERNATIVA” PËR POLITIKANËT BREDHËS
Mimoza Kusari-Lila në mënyrë “spektakulare” paska prezantuar partinë e saj (apo edhe të dikujt tjetër) të re, duke sugjeruar se gjasat janë që shprehja “alternativë” mund të jetë pjesë e emrit të këtij subjekti; dhe kjo sepse qytetarët po kërkuakan alternativë. Nëse këtu ka menduar në vetë fjalën “alternativë”, në Kosovë tanimë e kemi një të tillë, Alternativa Demokratike e Kosovës (ADK); por nëse mendon në substancën “alternativë”, atëherë Kosova tanimë ka shumë alternativa të tilla, pra kemi rreth 56 subjekte të regjistruara politike.
Nga kjo paraqitje vërehen dy (deri tani) indikacione që sugjerojnë se kjo “alternativë” mund të përfundoi në një iniciativë lokale, pasi që është promovuar në “mbretërinë” (komunën) e zonjës në fjalë, tendencë kjo lokaliste e cila përforcohet edhe më shumë kur ajo thotë: “Zakonisht në Kosovë, kur ka nisur diçka, kanë pyetur a ka nis në Gjakovë? Jo! E s’koka koha. E tash po dojmë me nisë në Gjakovë, se është koha”.
Po në Gjakovë, “alternativa” bindi edhe 8 asamblistë lokal të bëjnë të njëjtën të cilën e bëri “shefja/ideator-ja” e tyre – të zhgënjejnë (fjala më e butë e mundur) elektoratin e tyre të cilët i votuan në një petk krejtësisht tjetër politik. Mimozat nuk çelin në nëntor, dhe gjithashtu ato vyshken kur ndërrojnë vend nga një kopsht (parti) në kopshtin tjetër.
Fenomeni i cili më intrigoi më së shumti nga ana e “alternativës” ishte ajo “anketa” të cilën ata po duakan të zhvillojnë në tentimin e tyre “demokratik” për të përcaktuar liderin e këtij subjekti; unë vërtetë u kisha sugjeruar që më demokratike do të ishte sikur këtë ta bënin përmes ndonjë ankandit publik (auction).
Mbrëmë Shpend Ahmeti paska sugjeruar se edhe “alternativa” mund të jetë pjesë e opozitës, edhe një herë të bashkuar, në tentimet e tyre tanimë dëshpëruese për të marrë pushtetin me çdo kusht e çdo mjet. Pra, mbetet të shihet a do të përjetoi edhe “alternativa” fatin e FER-it; a do të zhbëhet plotësisht apo edhe ata do t’i tradhtojnë idealet e ti bashkohen Lëvizjes Anarkiste të Vetëvendosjes (LAV).