Asociacioni i komunave serbe nuk ndërlidhet as me ushtrinë e as demarkacionin. Ushtria do të bëhet në bazë të Kushtetutës së Kosovës, ndërsa Qeveria nuk do të pranojë asnjë kusht nga Lista Serbe e as nga askush tjetër. Madje nuk do të ketë asnjë kompromis për çështjet e vendit me Listën Serbe.
Kështu ka thënë në një prononcim për Ekonomia Online, këshilltari i kryeministrit, njëherësh zëvendësministër i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj.
Gecaj ka deklaruar se ushtria do të bëhet së shpejti, deri sa është shprehur skeptik se çështja e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe do të ndodhë shpejt.
“Jo nuk ndërlidhen këto çështje sepse ju e keni parë që qëllimi është që ushtria të themelohet sa më shpejtë që është e mundur, ndërsa çështja e asociacionit unë ju siguroj se do të zgjasë më shumë për shkak të këtyre dy perceptimeve që thash të kundërta që i kemi, do të merr shumë kohë”, ka thënë Gecaj.
Sipas tij, ushtria do të bëhet dhe këtë gjë nuk mund ta ndalojë askush, sikurse nuk kanë mundur ta ndalojnë as shpalljen e pavarësisë së vendit.
“Nuk pranon Qeveria e Kosovës kushte as prej Listës Serbe e as prej askujt tjetër. Ne e kemi thënë por edhe kryeministri e ka thënë, e kanë thënë edhe liderët tjerë që ushtria e Kosovës do të bëhet. Ne do të tentojmë dhe të bëjmë çmos që ajo të bëhet në kuadër të kornizës kushtetuese. Pra në kuadër të rregullave të parapara në kushtetutë. Megjithatë me apo pa këtë ushtria e Kosovës do të bëhet, pra nuk do ta ndal askush ushtrinë e Kosovës, ashtu si nuk ka mundur askush ta ndal pavarësinë e Kosovës”, ka pohuar ai.
Sa i përket fillimit të hartimit të statutit të Asociacionit, Gecaj ka thënë se Qeveria e Kosovës do të fillojë me hartimin e statutit në momentin kur Lista Serbe kthehet plotësisht edhe në Qeveri.
“Ju e keni parë që deputetët e Listës Serbe janë kthyer në Kuvend. Ne tash kemi disa takime ku jemi duke biseduar kthimin e tyre në Qeveri dhe në atë moment kur ky kthim të jetë i plotë atëherë ne mund të fillojmë nëse pajtohen të dy palët natyrisht mund të fillojmë procesin e draftimit apo përpilimin e statutit të Asociacionit”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se deri sa pala kosovare AKS-në e sheh si një ndihmesë për komunat e vendit, pala serbe nga ky asociacion po tenton që të nxjerr një organizim që do të ketë fuqi ekzekutive apo të jetë nivel i tretë i qeverisjes.
Por Gecaj ka siguruar qytetarët e vendit se kjo nuk do të ndodhë, pasi që vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të respektohet në plotëni.
Mirëpo, nuk ka dhënë ndonjë periudhë të caktuar kohore se sa do të zgjasë përpilimi i statutit të asociacionit.
“Nuk ka limite kohore, nëse çfarë do date të iu jap tash unë do të iu mashtroj juve dhe veten sepse kjo varet prej bisedave dhe gjithashtu varet prej përafrimit të këtyre dy pozicioneve të kundërta që i kemi. Nëse arrijmë që t’i përafrojmë më shpejtë atëherë ne do të përpilojmë statutin më shpejtë nëse jo këto biseda do të zgjasin për një kohë të gjatë”, ka pohuar Gecaj.
Marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe është nënshkruar më 25 gusht të vitit 2015 në Bruksel.