Gjigandi amerikan i automobilave General Motors ka paralajmëruar se nëse presidenti amerikan, Donald Trump, sjell taksa doganore shtesë për makinat e importuara nga Evropa, kjo do të thotë më pak investime, humbje punësimi dhe ulje të pagave.
Në një letër nga General Motors për Departamentin e Tregtisë të SHBA-ve është diskutuar njoftimi i presidentit Trump javën e kaluar për të vendosur taksën shtesë doganore me 20 për qind mbi makinat e importuara nga Evropa, përcjell Telegrafi.
Në letër, theksohet se rritja e kostove për shkak të taksës doganore do të reflektohet në çmimet e larta të automjeteve për konsumatorët dhe do të ulë kërkesën për automjete të reja.
Gjithashtu në letër paralajmërohet se nëse tatimi doganor i ngarkohet General Motors pa sjellë rritjen e çmimeve në automjete, kjo do të thotë për kompaninë, më pak investim, humbje punësimi dhe ulje të pagave.
Ndër të tjera në letër tërhiqet vëmendja se investimet më të pakta dhe një fuqi punëtore e zvogëluar, do të kërcënojnë lidershipin amerikan në teknologjinë e automobilave, dhe se taksat doganore do të reduktojnë praninë e General Motors në SHBA dhe jashtë saj.
Po ashtu theksohet se General Motors, që siguron një punësim për rreth 110 mijë njerëz në SHBA, që nga viti 2009 e deri tani ka kryer një investim më shumë se 22 miliardë dollarë në vend.
Trump të premten e kaluar në një postim në Twitter kishte njoftuar se ai do të sillte 20 për qind taksë shtesë doganore mbi makinat e importuara nga Evropa nëse Bashkimi Evropian nuk do të heqë tarifat dhe barrierat tregtare për vendin e tij.