George Clooney thotë se racizmi është pandemia e amerikanëve

Prishtinë | 02 Qer 2020 | 12:46 | Nga Ekonomia Online

Aktori i famshëm 59-vjeçar, George Clooney, përmes një eseje të postuar i është adresuar vdekjes së fundit të qytetarit nga Minneapolisi, George Floyd, i cili e humbi jetën pasi një polic i vuri gjurin në fyt për nëntë minuta, gjatë kohës sa po e arrestonte atë në Minnesota.

Ngjarja tragjike ndodhi javën e kaluar dhe nga atëherë, polici përgjegjës për vdekjen e afrikano-amerikanit, Derek Chauvin, është pushuar nga puna si dhe është paditur për vrasje të shkallës së dytë, transmeton Koha.

Veprimi i policëve të përfshirë në këtë ngjarje e cila bëri bujë në mbarë botën, cilësohet të ketë motive raciste dhe kështu ka shkaktuar protesta shpesh të dhunshme të cilat po vazhdojnë ende.

Prandaj, Clooney ka vendosur që përmes shkrimit të tij t’i lavdëroj reagimet e njerëzve ndaj trajtimit sistematik mizorë të afrikano-amerikanëve.

Në esenë e aktorit të postuar në “The Daily Beast”, shkruhej: “Sa herë i kemi parë afrikano-amerikanët në vendin tonë duke u vrarë nga policia? Tamir Rice, Philando Castile, Laquan McDonald, janë vetëm disa prej tyre prandaj nuk ka asnjë dyshim që, George Floyd, është vrarë me vetëdije të plotë. Në videot e postuara në rrjetet sociale ne e pamë atë duke e dhënë frymën e fundit, në duart e katër policëve. Dhe tani po e shohim një reagim tjetër të njerëzve ndaj trajtimit sistematik mizorë të një pjese të madhe të qytetarëve tanë, siç i kemi parë edhe në vitet 1968, 1992 dhe 2014. Ne nuk e dimë kur do të qetësohen këto protesta. Por shpresojmë dhe lutemi që askush tjetër të mos vritet. Gjithashtu jemi të vetëdijshëm që shumë pak gjëra do të ndryshojnë pas tyre.”

Ylli i filmit “Money Monster” bëri thirrje për ndryshime rrënjësore për t’i dhënë fund racizmit dhe paragjykimeve në vend, si dhe e krahasoi këtë situatë të tanishme me pandeminë e fundit të koronavirusit.

“Zemërimi dhe zhgënjimi që po e shohim teksa shpërthen sërish në rrugët e qyteteve amerikane, na e rikujton sa pak jemi rritur dhe zhvilluar si shtet nga mëkati ynë fillestar i skllavërisë. Fakti që nuk po blejmë dhe shesim qenie njerëzore, nuk është simbol nderi për ne. Kemi nevojë urgjente për ndryshim sistematik në zbatimin e ligjit dhe në sistemin e drejtësisë penale… Racizmi është pandemia jonë. Na infekton të gjithëve dhe pas 400 vjetëve, ne ende nuk e kemi gjetur një vaksinë për të,” shtoi tutje aktori.

Clooney gjithashtu e kritikoi presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe u kërkoi qytetarëve të vendit të votojnë në zgjedhjet e ardhshme për dikë që reflekton drejtësi themelore për të gjithë, në mënyrë të barabartë.

Aktori tha se nuk kemi nevojë për liderë të cilët nxisin urrejtje dhe dhunë, prandaj është e rëndësishme që secili amerikan të dalë dhe të votojë në zgjedhjet e muajit nëntor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme