As në mandatin e parë e as në të dytin, unë personalisht asnjëherë nuk i kam përkrahur çështjet për të cilat kam menduar se dëmtojnë zhvillimin dhe imazhin e volejbollit. Edhe pse kemi qenë në një krah me kryetarin, opozitën më të fortë e ka pas nga unë”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Blerim Gërguri, që ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të FVK-së.
Shumë shpejt pritet të caktohet data e mbajtjes së Kuvendit zgjedhor të Federatës së Volejbollit të Kosovës, kështu ka deklaruar për gazetën kombëtare “Bota sot”, Blerim Gërguri, i cili ditë më parë ka dhënë dorëheqje nga posti i nënkryetarit të këtij asociacioni së bashku me nënkryetaren tjetër, Feime Shala, dhe pesë anëtarë tjerë të Bordit: Naim Lakna, Kristina Lazri, Alban Brajshori, Milot Podvorica dhe Abedin Mehani.
Gërguri akuzoi kryetarin e Federatës së Volejbollit të Kosovës, Abedin Ibrahimi, se ka kohë që nuk e ka përfillur zërin e Bordit të FVK-së. Gërguri apo siç njihej si njeriu më i afërt i Ibrahimit, tha se kryetari kishte sjellur një grup të tij të interesit dhe duke tentuar që me persona të paautorizuar ti shtyj proceset. Sipas tij, e kanë njeriun e duhur që do të marrë postin e kryetarit të FVK-së. Gërguri tregon se kanë vepruar konform Statuti dhe asgjë jashtë rregullave të saja.
“Bota sot”: Dorëheqje juaj e papritur nga posti i nënkryetarit së bashku me nënkryetaren Feime Shala dhe pesë anëtarë të bordit të FVK-së, si ndodhi?
Blerim Gërguri: E gjithë kjo erdhi si pasojë e keqmenaxhimit të vazhdueshëm të kryetarit, përkundër kërkesës së Bordit që ta ndërroj kursin e drejtimit, ai nuk i mori asnjëherë parasysh pakënaqësitë e Bordit dhe organeve administrative që dalin nga Bordi. Kështu që shumica e anëtarëve të Bordit e shfrytëzoj të drejtën statutare konkretisht Neni 20 pika 4.
“Bota sot”: Dikur njeriu më i afërt me kryetarin Abedin Ibrahimi, por si ndodhi prishja e raporteve mes jush?
Blerim Gërguri: Është e vërtetë që dy mandate bashkarisht kemi kandiduar dhe ia kemi arrit. Mirëpo as në mandatin e parë e as në të dytin, unë personalisht asnjëherë nuk i kam përkrahur çështjet për të cilat kam menduar se dëmtojnë zhvillimin dhe imazhin e volejbollit. Edhe pse kemi qenë në një krah, opozitën më të fortë e ka pas nga unë.
“Bota sot”: Sipas jush, kryetari nuk e ka dëgjuar Bordin, që sa kohë ka vepruar kokë në vete?
Blerim Gërguri: Prej marrjes së mandatit të dytë, në dhjetor të vitit të kaluar, Kryetari ka anashkaluar Bordin. Duke sjellur një grup të tij të interesit dhe duke tentuar që me persona të paautorizuar ti shtyj proceset.
“Bota sot”: Cili është hapi më konkret i juaj me të dorëhequrit tjerë?
Blerim Gërguri: Ashtu siç e thotë edhe Statuti i FVK-së, tash është formuar Këshilli i Përkohshëm udhëheqës i cili e ka për detyrë të përcaktoj datën e Kuvendit zgjedhor.
“Bota sot”: Kërkoni Kuvendin zgjedhor të FVK-së, a e keni gjetur njeriun e duhur për të marrë timonin e këtij asociacioni?
Blerim Gërguri: Besojmë që po!
“Bota sot”: Cili është kandidati?
Blerim Gërguri: Pas caktimit të datës së Kuvendit zgjedhor dhe pas konsultave me ish Bordin dhe komunitetin e gjerë të volejbollit, do e kemi edhe emrin konkret.
“Bota sot”: Për këto vite ka stagnim apo rritje të volejbollit?
Blerim Gërguri: Duke pasur parasysh që Federata jonë ka kohë që është pranuar në arenën ndërkombëtare, mendoj që me një punë më intensive, do të kishim thithur shumë më shumë donacione dhe përkrahje në aspektin teknik profesional.
“Bota sot!”: Nëse Abedin Ibrahimi nuk jep dorëheqje, mundohet ai me çdo kusht ta mban postin, si do të veproni?
Blerim Gërguri: Statuti shumë mirë e qartëson: Komplet Bordi duhet të rizgjidhet. Anëtarë të Bordit janë: Kryetari, dy Nënkryetarët dhe gjashte anëtarët e Bordit. Kështu që prej dje asnjëri nesh nuk i posedojmë ato poste.