Edhe pse Ministria e FSK-së konstaton se në Gërmi nuk ka mina, qytetarët e thonë të kundërtën.
71 vjeçi Sidri Berisha që shpesh del për të ecur në Gërmi, e konsideron të minuar parkun e Prishtinës.
“Çdo herë dal në Gërmi. Gërmia me të vërtetë është zonë e minuar. Unë personalisht nuk kam hasë në ndonjë minë, gjithmonë eci rrugës. Komuna duhet ta pastrojë territorin e vet. Deri më tani nuk kam pa dikë që është interesuar në këtë zonë për pastrimin e minave”, thotë Berisha për KALLXO.com.
Edhe Gani Krasniqi, punëtor në mirëmbajtjen e Gërmisë e konsideron veten të rrezikuar nga minat dhe mjetet tjera shpërthyese gjatë kryerjes së punës së tij të përditshme.
Por Ministria e FSK-së Gërminë e konsideron vend pa mina dhe zonë jo të rrezikshme.
” Në Parkun e Gërmisë janë pastruar të gjitha zonat e afektuara nga minat dhe mjetet e tjera të eksplozive. Që nga viti 1999 janë pastruar 258,902 metra katrorë duke gjetur dhe shkatërruar 375 bomba kasetore, 8 mina anti-personale dhe 3 mjete tjera eksplozive”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së FSK-së për KALLXO.com.
Kjo ministri thotë se minat e fundit, bombat kashtore dhe mjetet tjera shpërthyese u larguan nga Gërmia në vitin 2013.
“ Pjesa e fundit që ka qenë e papastruar në Parkun Gërmia” është pastruar në vitin 2013 ku janë demoluar 35 bomba kasetore dhe 3 granata të dorës. Ky ka qene një projekt i përbashkët me ushtrinë suedeze. Ata kanë përkrahur njësit tona me mjetet e blinduara për pastrimin mjeteve eksplozive dhe ne kemi pastruar së bashku zonën e fundit që ka qene e afektuar në këtë park”, vijojnë përgjigjet e MFSK-së.
Por pensionisti Mark Ndrecaj që edhe si shumë banorë të Prishtinës del në Gërmi, thotë se në këtë park që nga përfundimi i luftës askush nuk është interesuar për pastrimin nga minat.
“Fati që nuk kam dëgjuar ndonjë fatkeqësi të ndonjë shpërthimi në Parkun e Gërmisë”, thotë ai.
Por sipas Ministrisë së FSK-së një person ishte vrarë në Gërmi nga mjetet shpërthyese të mbetura nga lufta e viteve 1997-1999.
“Sipas informacioneve nga MFSK aksidenti i vetëm në parkun e Gërmisë ka ndodhur në vitin 2002 ku një qytetar ka humbur jetën kur ka goditur bombën kasetore me sëpatë duke prerë dru. Në vitet në e mëpastajme ne nuk kemi ndonjë informacion se vizitoret kane pasur ndonjë fatkeqësi gjatë vizitave ne parkun e Gërmisë”, sqaron ministria.
Edhe Komuna e Prishtinës Gërminë e konsideron të pastruar nga minat.
Sikurse Ministria e FSK-së, ashtu edhe Ibush Kelmendi, udhëheqës i Sektorit për Siguri dhe Emergjencë në Komunën e Prishtinës, thotë se Gërmia është pastruar nga minat dhe mjetet tjera të rrezikshme në vitin 2013.
“Në Parkun e Gërmisë nuk ekzistojnë më zona të rrezikuara nga minat”, thotë Ibush Kelmendi, duke e argumentuar këtë me pllakën e vendosur nga KFOR-i suedez te punimet e ndërtesës së Qendrës Protokollare në Parkun e Gërmisë.
Sipas MFSK-së, deri në vitin 2013 kur Gërmia konsiderohet e pastruar në Kosovë nga kontakti me mjete eksplozive të pashpërthyera kanë vdekur 115 persona