Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se në takim me homologun e saj suedez, Tobias Billström kanë diskutuar për bashkëpunim në të ardhmen, raporton Ekonomia Online.
Sipas saj, Suedia ka një plan afatgjatë rreth bashkëpunim me Kosovën, duke e falënderuar për ndihmëp për heqjen e vizave.
“Diskutuam edhe bashkëpunimin që do të kemi në të ardhmen, pra jo vetëm atë të së kaluarës, sepse Suedia ka një plan afatgjatë rreth bashkëpunim me Kosovën dhe ky plan parasheh mundësi të shumta se si dy vendet tona do të mund ta nxisin dhe intesifikojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat”, tha ajo.
Gërvalla tha se në takim me Billstrom folën për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Biseduam edhe rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillim e Evropës, siç e dini Kosova ka aplikuar në Këshillin e Evropës gati një vit më parë. Janë kryer disa prej procedurave të rëndësishme të parapara me statutin dhe me rregullat e Këshillit të Evropës dhe ndërkohë kërkesa jonë pritet që në një kohë jo të largët të kalojë më në fund nga Këshilli i Ministrave, në Asamblenë Parlamentare, e cila është institucioni i cili do të duhej të verifikonte plotësimin e standardeve dhe të kushteve nga ana e Kosovës”.
“Ne jemi shumë optimist për një proces fer ndaj Kosovës dhe shpresojmë dhe presim që së shpejti të kemi lëvizje edhe në këtë drejtim. Ne jemi të gatshëm për të plotësuar të gjitha kushtet dhe kërkojmë vetëm një anëtarësim meritor”, u shpreh tutje ajo.
Gërvalla u shpreh se mërgata jonë në Suedi, është siç u shpreh ajo, ura më e mirë që lidh Suedinë dhe Kosovën.
“Ne mendojmë që mërgata jonë në Suedi është ura jonë më e mirë që lidh Suedinë dhe Kosovën. Suedia ka qëndruar vazhdimisht në krahë të Kosovës, si para fillimit të luftës, ashtu edhe gjatë luftës, por sidomos pas përfundimit të luftës në rindërtimin e Kosovës dhe në njohjen e pavarësisë dhe në ndihmë të shtetit të Republikës së Kosovës, Suedia ka qenë gjithmonë prezentë”, u shpreh tutje ajo.
LEXONI EDHE: