Gërvalla që 5 muaj kryediplomate, por ende s’u takua zyrtarisht me homologen shqiptare

Prishtinë | 09 Gus 2021 | 18:32 | Nga Ekonomia Online

Kanë kaluar 5 muaj që kur është zgjedhur qeveria e re e Republikës së Kosovës, në krye me Albin Kurtin kryeministër dhe Donika Gërvallën ministre të jashtme. Por, që 5 muaj, ministrja Gërvalla nuk e ka pasur asnjë takim bilateral me homologen e saj në Shqipëri, gjë të cilën qeveritë e kaluara në Kosovë e kishin si praktikë. A është ky edhe një indikacion që dëshmon se marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri janë në nivel të ulët?

Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, që nga viti i kaluar kur Kosova refuzoi vaksinat e Shqipërisë e deri më sot kur po bisedohet për “Ballkanin e Hapur” janë të nivelit të ulët, vlerësojnë analistët, shkruan Demokracia.com.

Nga praktika e qeverive të kaluara, ish-ministrat e jashtëm të Kosovës vizitën e parë ndërshtetërore e zhvillonin gjithmonë me homologët e tyre në shtetin shqiptar. Mirëpo, kështu nuk veproi edhe ministrja aktuale e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Kanë kaluar 5 muaj që kur është zgjedhur qeveria e re e Republikës së Kosovës, në krye me Albin Kurtin kryeministër dhe Donika Gërvallën ministre të jashtme, por ende nuk kanë pasur asnjë vizitë apo takim bilateral.

Analisti politik, Fitim Salihu, këtë indiferencë të ministres Gërvalla e ka cilësuar si vazhdimësi të rrugës së trasuar nga kryeministri Kurti, duke thënë se për këtë qasje të tyre nuk befasohet.

“Kjo qeveri edhe në vitin e kaluar kishte mbyllur kufirin me Shqipërinë, ndërkohë nga Serbia futeshin Jabllanoviqët. Kjo qeveri refuzoi vaksinat e Shqipërisë pasi kishte pranuar 1000 teste nga Serbia. Edhe ministrja e jashtme po e vazhdon të njëjtën rrugë të trasuar nga kryeministri i saj – atë të konfliktit, herë të hapur e herë të heshtur, me shtetin shqiptar dhe me kryeministrin shqiptar”, ka thënë Salihu për Demokracia.com.

Gërvalla, detyrën e ministres e mori më 23 mars të vitit 2021 dhe sipas të dhënave mbi takimet dhe bisedat që i mbanë ministri, të publikuara në faqen zyrtare të MPJ-së, shihet se nuk është takuar dhe nuk ka biseduar ende me ministren e jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka.

Demokracia.com ka pyetur Ministrinë e Punëve të Jashtme lidhur me këtë çështje, mirëpo nuk ka marrë përgjigje. Bisedën e parë me homologë, Gërvalla e pati me ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg.

Më 29 korrik 2021, kur iu ndryshua emri kësaj nisme, nga “Minischengeni ballkanik” në “Ballkani i Hapur” në një forum ekonomik të mbajtur në Shkup, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj iniciative, përfshirë edhe Kosovës.

Në Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, Kosova ishte zotuar se do të bëhej pjesë e “Mini-Shengenit”. Por, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, mendon se iniciativa e “Mini-Shengenit” është nismë pa vizion për rajonin. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, e ka cilësuar këtë iniciativë si “ide të rrezikshme”, sepse, sipas saj, krijohet përshtypja se ekziston alternativë për integrimin në BE.

Por, ambasada amerikane në Prishtinë tha se integrimi më i fortë ekonomik dhe politik “është thelbësor për paqe të qëndrueshme dhe prosperitet, dhe po ashtu do të forcojë përpjekjet ekzistuese të Kosovës për të përmbushur reformat e kërkuara për pranimin në BE në të ardhmen”.

Në Kuvendin e Kosovës, më 6 gusht, nuk u miratua një rezolutë ku i kërkohej Qeverisë së Kosovës që të zbatonte Marrëveshjen e Uashingtonit. Gjatë votimit për këtë rezolutë – që sipas ligjeve në Kosovë nuk janë detyruese, por shprehin vullnetin politik – deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje abstenuan.

Të ngjashme