Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka theksuar rëndësinë e fuqizimit të Qendrave për Aftësim Profesional, duke vlerësuar se ato nuk duhet të mbeten vetëm institucione që lëshojnë certifikata, por të shërbejnë si mekanizma konkretë për integrimin e qytetarëve në tregun e punës.
Gjatë një vizite në Ferizaj, ajo ka takuar znj. Fatmire Salihu në kuadër të Qendrës për Aftësim Profesional (QAP), ku kanë diskutuar mbi funksionimin aktual të programeve të aftësimit, kapacitetet ekzistuese dhe nevojën për thellimin e bashkëpunimit me sektorin privat.
Sipas Gërvalla-Schwarz, përmbajtja e trajnimeve duhet të jetë sa më e përshtatur me kërkesat reale të tregut dhe nevojat e punëdhënësve, në mënyrë që aftësitë e fituara nga pjesëmarrësit të përkthehen në mundësi konkrete punësimi.
Ajo ka theksuar se mbetet thelbësore rritja e efektivitetit të programeve të aftësimit profesional përmes përafrimit të vazhdueshëm me dinamikat e tregut të punës, duke garantuar integrim më të suksesshëm dhe punësim real për qytetarët.