Një ministre e paditur dhe e rrezikshme ka kapur për fyti e po e mban peng krejt korin diplomatik të Kosovës. Si asnjëherë në histori, ajo ua ka ndaluar ambasadorëve të Kosovës komunikimin me jashtë, veprimtaria kryesore që ata duhej të bënin.
Duhet të kesh zell totalitar për të imponuar jotransparencën dhe kontrollin deri në këtë nivel. Duhet të jesh amatore në diplomaci të lësh ambasadorët pa informacione minimale; pa mbështetje e pa ura komunikimi që do të përfitonte politika jonë e jashtme. Raportet e ambasadorëve tanë në SHBA dhe Gjemermani flasin për një gjendje të mjerë të trajtimit nga Ministria e Gërvallës.
Krejt kjo, në një kohë kur Kosova ka nevojë për ofanzive diplomatike, që afirmon të drejtën e Kosovës për qëllimet e saj; që merr njohje të reja; që thellon miqësi me shtetet mike; që siguron harmoni veprimesh në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe që hapë dyert e Kosovës nëpër kancelaritë botërore.
Por jo, Kosova sot është e dënuar e nën sanksione! Kurti e Gërvalla thumbojnë diplomatë të huaj si rutinë ushqimi; e hedhin në rrjetet e tyre sociale si ‘perla’ për krenari. Krijojnë huti te qytetarët duke e vënë veten si viktimë. Krejt kjo në dëm të shtetit të Kosovës.
Në politikën e jashtme, pasojat e dështimit janë të mëdha dhe afatgjata. Ndikimin negativ të veprimeve aktuale do të ndiejnë qytetarët për një kohë të gjatë, duke krijuar një ngarkesë të rëndë për të ardhmen e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
(Autorja është kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së)