Problemet me energjinë elektrike në Kosovë, si dhe taksat për eksport me Shqipërinë, janë disa nga vështirësitë me të cilat përballet kompania e prodhimit të ujit “Dea”.
Kjo u bë e ditur gjatë vizitës që kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i bëri kësaj fabrike, raporton Ekonomia Online.
Pronari i kësaj fabrike, Alban Shala, tha se taksat që shteti shqiptar ka vënë për lëndën plastike, ka bërë që të favorizohen prodhuesit e tjerë.
“Për momentin jemi duke bërë eksport në Shqipëri por kemi pengesa sepse ata e kanë një taksë për plastiken dhe na pengon sepse e rrit koston e produkteve tona kurse Shqipëria eksporton në Kosovë dhe nuk ka një taksë të tillë dhe kjo normalisht ndikon në eksportin e produkteve tona por njëkohësisht edhe favorizon produktet e shteteve të ndryshme”, tha Shala.
E kryetari i Odës, Safet Gërxhaliu, tha se akuzat që janë bërë për këtë kompani për kinse jokualitet, e dëmtojnë edhe imazhin e shtetit të Kosovës.
Ai theksoi se vetë eksporti këtij uji për bazat e ushtrisë amerikane në Evropë dëshmon më së miri për cilësinë e tij.
“Definitivisht një atak i tillë i vlerës dhe i rëndësisë të produktit Made in Kosova nuk i bën nder Kosovës dhe nuk i bën mirë sektorit privat. Prandaj jemi këtu që të apelojmë që institucionet të bëjnë më shumë për sektorin privat. Qytetarët të kuptojnë që sot në ekonomin e hapur përdoren metoda, mekanizma të ndryshëm për të dëmtuar prodhimin vendor dhe ne nuk duhet të biem pre e këtyre dezinformatave të cilat janë vërtetuar, që në të vërtete nuk kanë qenë të sakta”, u shpreh Gërxhaliu.
Kjo mbështetje e OEK-ut për ujin “Dea” vjen pasi që ditë më parë u publikua një artikull nga mediumi italian “Il fatto quotidiano”, ku thuhej se mjeku italian, Ennio Lettier, ka bërë një analizë të ujit në bazën e KFOR-it që ka dalë të jetë kancerogjen.
Artikulli në mënyrë të veçantë flet për ujin natyral “Dea” për të cilin shkruan se është tërhequr nga tregu për shkak të cilësisë së dobët.
Ndërsa kompania “Dea” kishte thënë se të dhënat e paraqitura në artikull nuk janë të vërteta.
Dy ditë më parë edhe auditorët e ushtrisë amerikane për mbrojtje dhe siguri të ushqimit në Europë dhe Afrikë kanë inspektuar fabrikën e ujit “Dea”.
Fabrika e ujit “Dea” ka më shumë se 180 punëtorë dhe për orë prodhon rreth 20 mijë njësi.