Gërxhaliu dhe Bahtiri kërkojnë të nxirret Ligji për Trepçën

Prishtinë | 21 Sht 2016 | 15:11 | Nga

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka pritur sot në takim kryetarin e Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri me të cilin kanë biseduar lidhur me aktivitetet ekonomike në nivel vendi dhe Mitrovice duke u angazhuar që agjenda ekonomike të jetë prioritet i institucioneve të vendit pasi që vetëm në atë mënyrë mund të sigurohen kushtet për zhvillim të gjithmbarshëm të vendit dhe qetësia sociale.

Bashkëbiseduesit shprehen shqetësimet se janë duke u anashkaluar proceset ekonomike dhe se agjenda politike është duke e dominuar atë ekonomike.

U theksua se nuk mund te mendohet për stabilitet politik, ekonomik dhe social dhe procese integruese pa zgjidhjen e çështjeve ekonomike.

Duhet me urgjencë të punohet në përgatitjen e Ligjit mbi Trepçën, konstatuan Gërxhaliu dhe Bahtiri. Me këtë rast u theksua se “Trepça” është parakusht për stabilitet ekonomik dhe social jo vetëm për Mitrovicën por edhe më gjerë.

Duhet krijuar kushte për tërheqjen e investitorëve dhe sigurimin e përpunimit të xehes në mënyrë që mos të ndodh sikur deri më tash që xehja të shitet e pa përpunuar apo si koncentrat.

Në takim u theksua roli i partneriteti dhe dialogut ndër-regjional si rrugë për tejkalimin e problemeve të cilat ballafaqohen ekonomitë e regjionit dhe rolin që ka Oda Ekonomike e Kosovës në këtë drejtim si rrjedh e proceseve të filluara me procesin e Berlinit.

Dy kryetarët gjithashtu u pajtuan se duhet angazhim konkret ne funksionalizimin e zonës së lirë industriale në Mitrovicë e cila do të mundësonte tërheqjen e investitorëve të huaj dhe zhvillimit ekonomik të cilat janë parakusht për avansim të mëtejmë të ekonomisë së vendit, pasi që vetëm zhvillimi ekonomik është garanci për zgjidhjen e probleme të shumta sociale me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme