Gërxhaliu: Eshtë koha të rishikohet marrëveshja e CEFTA-s

Prishtinë | 10 Mar 2019 | 12:27 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i përgjithshëm në Forumin Investiv të Odave të Ballkanit Perëndimor WB6 me seli në Itali, dhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se është koha kur në Kosovë duhet ta rishikojë marrëveshjen e CEFTA-s, marrë parasysh dëmet që janë shkaktuar nga kjo marrëveshje.

Kosova u bë anëtare fuqiplotë e CEFTA-s në korrik të vitit 2007, tetë muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes për anëtarësim.

Marrëveshja për anëtarësim u nënshkrua nga UNMIK-u në emër të Kosovës.

Gërxhali ka thënë për gazetën “Epoka e re”, se rishikimin e marrëveshjes së CEFTA-s janë duke e kërkuar dhe vendet e regjionit, pasi sipas tij ekzistojnë mori barrierash në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Kohëve të fundit është duke u diskutuar shumë rreth marrëveshjes së CEFTA-s dhe funksionimit të saj, si dhe sfidat që ballafaqohet komunitet i prodhuesve vendor. Andaj, është moment kur Kosova duhet të përgatitet për rishikim të kësaj marrëveshje me qëllim që të jemi në funksion të lëvizjes së lirë të mallrave dhe shërbimeve. Një kërkesë e tillë është duke u aktualizuar shumë edhe sa i përket arenës ndërkombëtare dhe regjionale. Kohëve të fundit ka pasur ankesa edhe nga Oda Ekonomike e Maqedonisë e Malit të Zi, si dhe e Bosnjë Hercegovinës. Bazuar në këtë është krijuar momentum, kur edhe Kosova duhet të jetë e përgatitur për një rishikim të tillë”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Ai ka thënë se rishikimi i marrëveshjes së CEFTA-s, duhet të bëhet nga njerëz profesionistë.

“E tëra kjo duhet të bëhet bazuar në ekspertizë dhe kuadro të cilat mund ta ndihmojnë këtë proces dhe mos të vazhdohet t’i lihet faji UNMIK-ut apo dikujt tjetër. Në qoftë se kemi pengesa nga CEFTA e nënshkruar nga UNMIK-u, atëherë është koha kur duhet ta kemi një dokument të përbashkët që s’do të duhej të kishte pengesa. Ky dokument dua të besoj se do ishte i komplementar dhe në funksion të zhvillimit të vendit dhe rajonit, jo vetë në aspektin ekonomik, por edhe atë strategjik, integrueses dhe mbi të gjitha në përmirësimin e imazhit të Ballkanit Perëndimor. Prandaj, mendoj se duhet të këtë ekspertë të fushës të cilët s’janë pjesë e klaneve të politikës, por që vërtet profesionin e kanë armën më të fuqishme për të adresuar sfidat dhe për të ndërtuar të ardhmen e bizneseve vendor”, u shpreh ai.

Gërxhaliu ka thënë se Kosova në këtë marrëveshje është nënçmuar, dhe sipas tij rishikimi i marrëveshjes së CEFTA-s është duke u kërkuar dhe nga vendet e rajonit.

“Nuk është në pyetje vetëm disbalanci tregtar, pasi është vetëm një argument, por vërtetë ka pasur sfida të cilat kanë ndikuar që Kosova të jetë e anashkaluar, e dëmtuar, por mbi të gjitha e nënçmuar. Një dukuri e tillë s’është vetëm në mes të Kosovës dhe Serbisë. ankesa të shumta ka në mes të Bosnjë Hercegovinës dhe Malit të Zi, në mes të Maqedonisë dhe Serbisë, por më tepër ka në mes të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Besoj që të gjitha këto janë argument që duhet të na motivojnë që të jemi më të përgatitur dhe ta ndërtojmë një dokument i cili do të jetë i barabartë për të gjithë. Mbi të gjitha duhet të na shërbëjë deri në harmonzim. Nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë mundësi të kenë legjislacion të harmonizuar me standardet evropiane, atëherë lind pyetja pse ato dokumente s’janë të harmoziuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi pengesat më të mëdha i kemi në këtë pjesë. Është moment i duhur të kërkohet shqyrtimi dhe negocimi i marrëveshjes së CEFTA-s në interes të të gjithëve”, ka deklaruar Gërxhaliu.

I pyetur se a mund të kemi masa penalizuese në procesin integrues, në qoftë se kërkohet rishikimi apo dalja nga CEFTA?, Gërxhaliu është përgjigjur:

“Një ndër pikat më të dobëta që vërehet në marrëveshjen e CEFTA-s, është se duhet të shikohet se a ka masa penalizuese për shkelësit e kësaj marrëveshje. Prandaj, nëse do të ketë një pikë të kompletuar duhet vërtetë të ketë edhe marrëveshje penalziuese për ata që e shkelin marrëveshjen e CEFTA-s. S’ka problem veç Kosova me Serbinë, por të gjitha shtetet e rajonit. Është qëndrim edhe i Odës së Maqedonisë Veriore se dokumenti më fatal për vendet e Ballkanit Perëndimor ka qenë CEFTA, dokumenti i cili vërtetë shumë më tepër ka dëmtuar se ka ndihmuar sektorin privat”, ka thënë Gërxhaliu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme