Në studimin e Odës Ekonomike të Kosovës, mbi klimën e biznesit në Kosovë, të publikuar javën e kaluar, e gjetur mjaftë shqetësuese ishte fakti i përfaqësimit të ultë të femrave në pozita vendimmarrëse.
OEK në baza të rregullta tremujore prezanton të gjeturat e “Indikatorit të konfidencës”.
Anketa në këtë tremujorë u realizua në fund të muajit qershor me 474 kompani, të sektorit të tregtisë me shumicë, tregtisë me pakicë, ndërtimit, shërbimeve dhe sektorit të prodhimit. Kompanitë kosovare të anketuara në këtë tremujorë vlerësuan gjendjen aktuale të biznesit të jetë e kënaqshme.
Nga ana tjetër, sektori privat në Kosovë, punëson një numër tejet të vogël të femrave në pozita vendimmarrëse. Në baza sektoriale, në sektorin e prodhimit, 50% e kompanive të anketuara deklaruan që nuk kanë të punësuar asnjë femër në vendimmarrje, ndërsa rreth 30% e tyre thanë të kenë të punësuar vetëm një femër në pozitë vendimmarrëse.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhall, ka thënë se vetëm 1% e kompanive në sektorin e prodhimit deklaruan të kenë të punësuar deri në 5 femra në pozitë menaxheriale. Sa i takon nivelit rajonal të përfaqësimit, nga të dhënat e këtij studimi, në sektorin e prodhimit numrin më të lartë të femrave në pozita vendimmarrëse e ka rajoni i Ferizajt, pastaj Prishtina dhe Prizreni. Numrin më të ultë të femrave në vendimmarrje prezantohet ta ketë komuna e Gjakovës.
Edhe sektori i shërbimeve ka një përfaqësim pothuajse të ngjashëm. 57% e kompanive të anketuara në sektorin e shërbimeve deklaruan që nuk e kanë asnjë femër të punësuar në pozita vendimmarrëse; 25% e kompanive të anketuara deklaruan të kenë të punësuar vetëm një femër në vendimmarrje, ndërsa vetëm 1.7% kishin deri në 5 femra në vendimmarrje.
“Situata është shumë larg qëllimeve dhe objektivave tona në rrugën tonë drejtë anëtarësimit në familjen e madhe Evropiane dhe në qoftëse analizohet Strategjia Evropiane për Zhvillim (SBA), atëherë roli i grave në biznes dhe në pozita menaxheriale është një ndër shtyllat kryesore të këtij dokumenti, theksoi Gërxhaliu.
Tutje ai theksoi rëndësinë që gruaja ka në zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e ambientit biznesor në vend. OEK-u ka punuar në drejtim të rritjes së vetëdijes për rolin e grave në biznes, por nga ana tjetër edhe perkrahjen për punësimin e tyre në pozita udhëheqëse.
Bazuar edhe në statistikat e pubikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, shkalla e punësimit në mesin e femrave në moshë pune është vetëm 13.0 %, krahasuar me 44.6 % për meshkujt.
Tutje ky raport i ASK-së tregon që femrat janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe të tregtisë (49.8 % e femrave të punësuara).