Gërxhaliu: Inatet politike po e dëmtojnë ekonominë

Prishtinë | 06 Dhj 2017 | 22:36 | Nga

Mungesa e kuorumit gjatë diskutimit të sotëm në Kuvendin e Kosovës për Projektbuxhetin për vitin 2018, është shqetësuese për vendin, sepse po shkakton dëme në rrafshin e brendshëm.

Kështu ka theksuar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu.

Ai ka thënë për Telegrafin se të gjithë politikbërësit në vend, duhet të kuptojnë së interesat e shtetit janë para interesave politike.

“Shqetësuese është kur sot për një projektligj substancial, bëhen debate të tilla që nuk kanë të bëjnë aspak më temën në fjalë. Është kohë që më tepër të veprohet se sa të flitet për shtet. Dhe politikanët të cilët e kanë marrë besimin e popullit, ta angazhohen për të mirën e tij, e jo thjeshtë të jenë zhvatës të buxhetit të shtetit”, ka shtuar Gërxhaliu.

Ndryshe, ka ngelur më pak se një muaj deri në përfundimin e vitit kalendarik, por Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka miratuar buxhetin për vitin që po na pret.

Në seancën e sotme plenare, pas një debati dyditësh, në mungesë të kuorumit, Projektbuxheti për vitin 2018, nuk i ka marrë votat e nevojshme të kuvendarëve në Parlament.

Për projektbuxhetin kanë votuar vetëm 58 deputetë, që nuk kanë qenë të mjaftueshme për t’u miratuar ky dokument, pasi që opozita nuk ka dashur të marrë pjesë në votim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme