Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka thënë se miratimi i 22 masave të Pakos Fiskale 2 është dëshmi që për interesa e kundërshtime politike është në gjendje të shkatërrohen edhe proceset madhore për vendin, raporton Ekonomia Online.
“E tërë kjo dëshmon më së miri një realitet të hidhur të krijuar në Kosovë që për interesa dhe kundërshtime politike jemi në gjendje të shkatërrojmë çdo gjë edhe procese të tilla madhore siç janë proceset ekonomike dhe mbështetja e sektorit privat”, tha Gërxhaliu.
Ai në një prononcim për Ekonomia Online ka thanë se kjo është një dëshmi që edhe më tutje interesat partiake janë mbi shtetin.
“Vërtetë ky është një paradoks që më së paku i bënë nderë ekonomisë dhe proceseve ekonomike në vend, është një dëshmi që më së paku jemi pro ekonomisë dhe pro zhvillimit ekonomik bazuar në sektorin privat, e tërë kjo e dëshmon edhe një mjerim që definitivisht për interesa dhe parti politike edhe më tutje partia dhe politika janë mbi shtetin që është një gabim i madh i cili e dëmton ardhmërinë dhe qëndrueshmërinë e këtij shteti”, tha ai.
Gërxhaliu ka thënë se heqja e pakos fiskale disa herë nga rendi i ditës në mbledhjen e qeverisë ka qenë një zhgënjim për bizneset në vend, kur dihet që ato përballen me një konkurrencë agresive duke qenë të pabarabarta me vendet e rajonit.
“Definitivisht në ato moment kur pakoja e propozuar kthehej nga takimet qeveritare ka qenë një zhgënjim ose ka qenë një vendim që ka pasur multidimensionalitete psikologjik, e them këtë bazuar në faktin që sektori privat ballafaqohet me një agresivitet nga vendet e rajonit, ballafaqohet me një konkurrencë vërtetë agresive dhe më një informalitet dhe krejt kësaj i shtohet edhe fakti që nuk kemi qenë ose nuk ka qenë biznesi i barabartë me vendet e rajonit. Dhe kjo pako ka qenë një ndër mekanizmat e një barazie në vendet e rajonit dhe vërtetë ka qenë një zhgënjim shumë i madh”,tha kryetari i OEK-ut.
Pakoja Fiskale 2.0 ishte tentuar dy herë të ishte pikë e rendit të ditës në mbledhjet e kaluar të qeverisë, por sipas ministrit të Financave, Avdullah Hoti, ishte PDK-ja partneri i koalicionit që e bllokoi futjen në rend dite në mbledhjet se qeverisë.
Pakoja Fiskale 2 sot u miratua në mënyrë unanime nga të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar që ishin prezent në mbledhje.