Kosova ka shpallur Gjendje Emergjente Shëndetësore dhe ka marrë një sërë vendimesh të cilat prekin edhe ekonominë e gjithë kjo për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, në kohën e pandemisë botërore e cila ka prekur edhe vendin tonë, ku deri tani janë 16 rase të konfirmuara me Covid-19.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se konsideron që pavarësisht masave lehtësuese të ndërruara nga Qeveria për sektorin privat, rritja ekonomike nuk do të jetë ajo që ka qenë e planifikuar për vitin 2020.
“Nuk mund të pritet që do të kemi rritje ekonomike çfarë ka qenë e paraparë për vitin 2020 do të ketë shumë indikatorë që do të kenë kahje negative, por jeta e njeriut janë mbi të gjitha dhe stabiliteti social do të jetë i garantuar, dhe me një bashkërenditje të tillë të sektorit publik dhe ati privat të gjitha këto pasoja do të minimizohen në të ardhmen”.
Gërxhaliu shprehet se një situatë e tillë ekonomike do të ishte më lehtë e menaxhueshme sikur të kishte rezerva shtetërore.
Sipas tij, duhet të ketë një komunikim të mirëfilltë dhe një qartësi se cilat biznese të sektorit privat mund të punojnë në mënyrë që të shmanget një situatë kaotike dhe që të mos ketë efekte negative në ekonomi.
“Një situatë e tillë duhet të menaxhohet për arsyet të komunikimit të mirëfilltë në mes të sektorit privat dhe institucioneve por edhe institucioneve, një situatë e tillë kish me pas rrethana shumë më lehtësuese sikur me kohë të ishin dëgjuar rekomandimet e ekspertëve që Kosovës i duhet një rezervë emergjente që të kishte rezerva shtetërore, se po të ishin rezervat shtetërore nën kontrollin e shtetit dhe të dihet cilat janë kapacitetet e produkteve që janë në rezerva kish me qenë edhe më e lehtë për tu menaxhuar situata”.
“Duhet edhe në këtë situatë të mendohet për pozicionin e sektorit privat sepse nuk i bëhet nderë ardhmërisë së Kosovës pas krize sepse nga kriza do të gjenerojmë edhe krizën më të madhe, në këtë drejtim besoj që shumë sektorë ekonomike nuk duhet të jenë të mbyllura për hir të një ardhmërie më të mirë dhe në funksion të qytetarëve të Kosovës”.
Gërxhaliu ka thënë për EO se masat e ndërmarra nga si nga Administrata Tatimor e Kosovës si nga Banka Qendrore janë një sinjal pozitiv dhe një hap i mirë për të minimizuar krizën ekonomike.
Por ai thotë se duhet të gjinden forma se si të ndihmohet sektori privat pas tejkalimit të kësaj situate.
“Më gëzon fakti se në disa sektorë në aspektin e ndërtimit, në aspektin e prodhimit por edhe në disa shërbime të ketë një azhuritet më të madh dhe besoj që kjo do të jetë pozitive sepse do ti minimizoj efektet negative të aktualitetit të krijuar në Kosovë, prandaj duhet të kemi dialog dhe duhet të mendojmë që sektori privat do të jetë prapë bartës i të gjitha përgjegjësive edhe pasi kjo krizë ti takoj të kaluarës dhe nuk duhet të ngulfatet ekonomia e sektorit privat dhe duhet të gjendet forma si të mbështetet”.
“Vet fakti që kemi lehtësira qoftë nga Administrata Tatimore qoftë nga Banka Qendrore, qoftë nga inspektorati besoj që janë një hap që duhet të analizohet edhe në aspektin ekonomik, politik por motivues për sektorin privat që të jetë në funksion të zhvillimit të shtetit dhe në funksion në mbrojtjes së interesave të qytetarëve”.
Të hënën ka pasur një reagim edhe të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Amerikane në Kosovë për një keqkuptim dhe huti në sektorin privat se kush mund të punojë dhe kush jo dhe pas komunikimeve dhe takimeve me Insektoriatin e Tregut është sqaruar se jo të gjitha bizneseve u ndalohet puna.