Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, vlerëson se situata e jo stabilitetit të furnizimit me energji elektrike duke mos përjashtuar arsyet e ndryshme, si në rastin e fundit që lidhet me furnizimin me thëngjill është dështimi më i madh i të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të angazhuara në faza të ndryshme të periudhës së pasluftës në Kosovë.
Sipas kreut të OEK-ut, që përfaqëson interesat e mbi 16 000 bizneseve anëtare, dëmi më i madh për ekonominë e vendit dhe kostoja më e madhe që e paguajnë bizneset në vlera vjetore deri 300 milionë euro në total vjen nga kostot shtesë që duhen të shpenzohen për sigurim të furnizimit të rregullt me energji elektrike.
Situata që po paralajmërohet për mungesë të thëngjillit dhe rrjedhimisht krizë të furnizimit në javët në vijim është e mbuluar nga jo-transparenca dhe është shndërruar në një luftë për gjetjen e “fajtorit” ndërmjet aktereve të ndryshëm institucional, por për komunitetin e biznesit dhe qytetarët e vendit është absolutisht e parëndësishme kush është “fajtori”, pasi që bizneset dhe qytetarët presin dhe meritojnë zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme.
Sipas Gërxhaliut thelbi i problemit është mos ndërtimi në kohë i kapaciteteve të reja gjeneruese, përkatësisht Termocentralit “Kosova e Re”, ku një rol të madh në vonesa dhe paqartësi e ka edhe Banka Botërore e cila ka një qasje jo-transparente në këtë projekt dhe vazhdimisht një qasje e tillë karakterizohet edhe me një burokraci që përcjellet me kërkesa që kanë kosto milionëshe dhe janë po të njëjtat kërkesa të cilat ky institucion ndërkombëtar i përdor si pretekste të vazhdueshme për prolongimin e vendim marrjes për (mos) përkrahjen e një projekti jashtëzakonisht vital për ekonominë e vendit tonë.
“Ne jemi në një situatë paradoksale “kur jemi ndër vendet me rezervat më të pasura me thëngjill në botë”, ndërkohë jemi ndër vendet me jo-stabilitetin më të madh energjetik, në kohën kur në vendet e rajonit, më kushte shumë më të pafavorshme kemi investime në magavat të rinj ( 350 megavat të reja në Serbi, 300 megavat të reja në Maqedoni dhe rreth 250 megavat të reja në Mal të Zi, të planifikuara dhe në implementim në 3 vitet e fundit)”, përfundon Gërxhaliu.