Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu po vlerëson se Kosova nuk duhet të merret me vendin se prej nga vjen gazi, por që duhet ta përshpejtojë këtë proces.
Sipas tij, pasi që siç thotë ai vendi mund të bëhet kantinier i shpërndarjes së gazit, e që përfitimet do të jenë të mëdha, raporton Ekonomia Online.
Gërxhaliu në një intervistë për Ekonomia Online, thekson se institucionet e vendit duhet të gjenerojnë politika të partneritet me ShBA-në dhe jo refuzuese.
“Duhet të kuptohet që Kosova duhet të gjenerojë politikë të partneritetit jo politikë refuzuese dhe jo që Kosova është produkt i diplomacisë ndërkombëtarë, nuk duhet të hezitohet në këtë drejtim ku kuptohet fare mirë kontributi i Amerikës”.
“Në këtë drejtim nuk duhet të humbet kohë se nga do të vije gazi, a do të vije nga Azerbajxhani, a nga Bashkimi Sovjetik, si do të jetë i monitoruar, prandaj në këtë drejtim duhet të bëjmë më tepër se si të përshpejtohet ky proces dhe jo të humbim kohë për të dështuar”.
E një ndër pikat me të rëndësishme të marrëveshjes së Uashingtonit të vitit të kaluar kishte qenë edhe gazsjellësi, derisa për këtë ish-kryetari i Odës Ekonomike thotë se Kosova nuk e ka komoditetin e refuzimit.
Ndërsa përfitimet do të jenë të mëdha për bizneset dhe ekonomitë familjare, thotë Gërxhaliu për EO.
“Unë besoj që viti 2020 përvec asaj që ka qenë vit i pandemisë, i ka pasur dy data të cilat për mu janë të rëndësishëm, e para ka qenë marrëveshja në Uashington dhe e dyta ka qenë takimi i procesit të Berlinit, në Sofje ku janë nënshkruar disa marrëveshje që janë të rëndësishme për ardhmërinë e Kosovës, dhe vet fakti që në Sofje janë nënshkruar tri marrëveshje ku e para ka të bëjë për agjendën e gjelbër, e dyta ka të bëjë për tregun e përbashkët rajonal dhe e treta ka të bëjë me garantimin e lëvizjes së lirë së mallrave”.
“Marrëveshjen e Uashingtonit duhet ta trajtojmë me një seriozitet dhe në këtë marrëveshje është e paraparë që një ndër pikat e nënshkruar do të jetë edhe gazsjellësi dhe Kosova nuk e ka komoditetin e një refuzimi dhe një qasje të tillë, por duhet të argumentohet dhe në këtë drejtim ky gaz do të ketë efekte pozitive për bizneset dhe ekonomitë familjare, por duhet të kuptohet që përvojat e vendeve të zhvilluara na mësojnë se furnizim i gazit e rrit ekonominë”.
“Kompania do të jetë e menaxhuar nga brendet amerikane, mirëpo nafta importohet nga vendet arabe, në këtë drejtim është e rrugës të analizohet përfitim nga gazi se sa të gjinden ide për të refuzuar dhe e veçanta e marrëveshjes së Uashingtonit është se nuk e mbështet vetëm Kosovën, por e mbështet Ballkanin Perëndimor”.
“Kosova mund të jetë kantinier i shpërndarjes së gazit dhe në këtë drejtim benefitet mund të jenë pozitive në interes së Kosovës dhe vendit”, tha ai për EO.
E për sjelljen e gazsjellësit ka pasur kritika të vazhdueshme nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, derisa ka kritikuar qeverinë e vendit se po rrezikon programin më të rëndësishëm ekonomik dhe gjeopolitik.
“Politizimi dhe njollosja e projektit të Gazit është skandaloz, po rrezikohet projekti më i rëndësishëm ekonomik dhe gjeopolitik për Kosovën”, ka shkruar Haradinan në letrën drejtuar kryeministrit Albin Kurti.