Gërxhaliu: Tregtarët po ngulfasin prodhimin vendor

Prishtinë | 06 Shk 2017 | 14:53 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qendrat e mëdha tregtare po vazhdojnë të dëmtojnë prodhuesit vendorë, ngase të njëjtat po e mundësojnë promovimin e produkteve të jashtme duke iu siguruar hapësira të mëdha, të cilat po i lënën nën hije prodhimet vendore.

Për të ndaluar këtë trend negativ përfaqësues të bizneseve të Kosovës kërkojnë miratimin e ligjit për tregti të brendshme, i cili do të mbronte dhe fuqizonte prodhuesit vendorë.

Kështu tha në një intervistë për Ekonomia Online, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Ai tha se fushata e nisur për të konsumuar prodhimet vendore është pozitive, duke kërkuar nga institucionet vendore që të përgatisin një fushatë të gjerë në mënyrë që të kthehet besimi i konsumatorëve në prodhuesit vendorë.

Në këtë intervistë Gërxhaliu ka folur edhe për masat të cilat duhet t’i plotësojnë prodhuesit për të siguruar hapësira promovuese në marketet vendore.

I pari i OEK-ut, tha se qeveria duhet të krijojë politika me anë të së cilave do të krijonte lehtësira për prodhuesit vendorë, të cilët po ndjehen të rrezikuara drejtpërsëdrejti nga prodhimet nga jashtë.

Ai tha se prodhuesit po mbijetojnë vetëm në bazë të subvencioneve dhe të donacioneve nga jashtë.

INTERVISTA E PLOTË:

16593791_10212234426045456_2129291409_o

EO: Kemi parë kohëve te fundit një fushatë që është bërë për konsumin e prodhimeve vendore, a po vetëdijesohen qytetarët e Kosovës për konsumin e prodhimeve vendore?

Gërxhaliu: Definitivisht që kohëve të fundit është aktualizuar çështja e orientimit drejtë të promovimit dhe shfrytëzimit të produkteve vendore. Mirëpo, besoj që është koha kur duhet të ketë më tepër substancë në këtë drejtim dhe për prodhimin vendor më tepër duhet të bëhet se sa të flitet. E them këtë duke u bazuar në faktin që prodhimi vendor ballafaqohet me dy sfida dhe këto sfida janë të natyrës interne dhe të natyrës eksterne: Në aspektin ekstern prodhimi vendor është i atakuar nga vendet e rajonit dhe më gjerë, ku shumë shtete kanë subvencione për të mbështetur eksportet e produkteve të tyre dhe më së lehti e kanë për të depërtuar në tregun e Kosovës dhe në këtë drejtim dëmtohet ose është një grusht i drejtpërdrejt që i bahet prodhimit “Made in Kosova”.

Në aspektin intern ajo çka është më shqetësuese është fakti që orientimet qeveritare janë gjithmonë të grumbullohet buxheti në kufij, dhe në qoftë se grumbullimi orientohet atje atëherë mbështetet më shumë tregtia dhe shërbimet tregtare se sa prodhimi. E dyta, është një qasje jo aq në favor të prodhimit nga ana e tregtarëve ose e disa tregtarëve të mëdhenj. E treta është një vetëdije shumë e ulët e dozës së nacionalizmit ekonomik dhe besoj që është koha kur institucionet duhet më tepër të përgatisin kampanja që të promovohet dhe të kthehet besimi në prodhimin vendor. Në këtë drejtim në qoftë se i përcjellim shumë media aktuale në Kosovë , vendet e rajonit kanë shumë më tepër reklamë dhe hapësirë mediale për prodhimet e vendeve të rajonit se sa për ato vendore.

Njëra ndër pikat tjera, që duhet besoj me emergjencë ose me urgjencë të bëhet, është miratimi i Ligjit për Tregti të Brendshme, ku prodhimeve vendore do t’u caktohet ligjërisht një hapësirë e mbrojtur nëpër pikat e shitëse e dedikuar ose destinuar vetëm për prodhimet “Made in Kosova”. Në qoftë se në këtë drejtim nuk do të bëhen hapa më konkret atëherë duhet të kuptohet e vërteta që termi bojkot, reciprocitetet janë terme të kaluarës dhe këto nuk i bëjnë nder Kosovës. Kosova ka nevojë për promovim, avancim dhe rritje të prodhimit vendor, dhe në këtë drejtim besoj që duhet të punohet më tepër me vetëdijen dhe vetëdijesimin e qytetarëve të Kosovës.

EO: Sa ka vullnet politik për t’u bërë një Ligj i tillë, a keni kërkuar ju si odë nga qeveria e Kosovës për realizimin e kësaj kërkese?

Gërgjaliu: Definitivisht si Odë Ekonomike e kemi adresuar këtë çështje në takime me të gjithë zyrtarët institucionalë, ka qenë një temë e debatit edhe në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, është mirëpritur si ide. Mirëpo, edhe më tutje është një dialog si duket me institucione ndërkombëtare që ky ligj ta zë pozitën e merituar. Mirëpo, kam drojë që në Kosovë edhe më tutje nuk mund të ndahet influenca politike me ekonominë dhe anasjelltas, dhe kam drojë që për mbrojtjen e interesave të grupeve të caktuara ky ligj do të jetë i prolonguar. Por, besoj që nëse mendohet të bëhet më tepër për ekonomi dhe për mbështetje të prodhimit vendor një ligj i tillë do ta ketë një rëndësi të veçantë, sepse është problem më i madh për prodhimin kosovar hapësira, e cila duhet të paguhet edhe në lokalet apo dyqanet vendore, dhe kjo është edhe një vështirësi e madhe për sektorin privat dhe sektorin prodhues që nuk mund t’i bëjë ballë konkurrencës agresive nga vendet e rejonit. I kemi pasur edhe disa ndryshime në politikë fiskale, të gjitha këto ndryshime sa e kanë anën pozitive në favor të mbrojtjes së prodhimit vendor, hapësirë të re për prodhimet nga jashtë dhe në këtë drejtim duhet balancë dhe duhet që t’ia krijojmë një hapësirë që për prodhime vendore të bëhet më tepër se sa të flitet.

EO: E përmendët më herët për padrejtësitë e tregtarëve ndaj bizneseve, a mund të na shpjegoni më tepër lidhur me këtë?

Gërxhaliu: E kemi pasur para disa ditëve një takim me prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit dhe i kanë prezantuar kontratat të cilat i kanë marrë nga qendrat e mëdha tregtare dhe vërtet për t’i përmbush ato kushte ose ato kërkesa të tregtarëve atëherë vetvetiu çdo prodhues vendor është i gjykuar paraprakisht për të dështuar ose për të marrë kredi në banka dhe për të punuar për tregtarët. E them këtë bazuar në disa pika që janë parë në këto kontrata, ku dërgesa e parë nga tregtari duhet të jetë gratis; e dyta prodhuesi duhet të paguaj për hapësirën që shfrytëzon në markete; e treta çmimi caktohet nga tregtari, me qëllim që të mos dëmtohen përfaqësitë tregtare nga jashtë; e katërta, pagesa caktohet prapë nga tregtari – tridhjetë, gjashtëdhjetë apo nëntëdhjetë ditë, ndërsa prodhimet e njëjta të importuara i paguajnë me avance, ose paraprakisht, dhe ajo çka është ma interesante provizioni në fitim është 20 deri në 40 për qind, dhe për të gjitha aksionet ose për lirimet, ose zbritjet barrën e merr prodhuesi. Kohëve të fundit edhe për fletushka për reklama i financon prodhuesi, gjithashtu në fund të vitit është një rabat vjetor që varion nga 2, 5, 7 deri 11 për qind, që vërtetë është e pa mundur që prodhimi vendor të zgjerohet në bazë të tregtisë interne.

Pra, unë besoj që në qoftë se këto problem do të minimizohen atëherë do të ketë një frymëmarrje të re për prodhuesin vendor, sepse duhet të pranohet të mos ketë apo po të mos ishin subvencionet që prodhuesit vendorë marrin nga ministritë e ndryshme, ose nga donatorët nga jashtë, atëherë prodhuesit vendorë do ta kenë shumë vështirë për të mbijetuar.

EO: A mund të themi me krejt këtë që tregtarët po e mbysin prodhimin vendor?

Gërxhaliu: Nuk dëshiroj ta përdor termin “mbysin”, mirëpo se është një ngufatje përball sektorit privat e në veçanti prodhuesit vendor është. Në këtë drejtim unë shfrytëzoj rastin t’i falënderoj bizneset të cilat kanë pasur guxim t’i sjellin ato kontrata dhe ato kërkesa. Ankesa në Odën Ekonomike të Kosovës kemi pasur me vite të tëra, mirëpo askush nga prodhuesit nuk e ka kanë  guximin të dalë dhe publikisht t’i thotë këto vështirësi. Mirëpo, më në fund si duket edhe prodhuesit e kanë parë që vështirësitë e tyre nuk kanë fund dhe e kanë ngritur zërin.

Besoj që ky rekomandim dhe këto shqetësime do të hasin në mirëkuptim edhe tek institucionet relevante dhe të gjendet një balancë ndoshta të mbështetet tregtia, por jo në dëm të prodhimit vendor.

EO: A mendon se Ligji për Tregti të Brendshme do të zgjidhte problemet e prodhuesve?

Gërxhaliu: Të paktën deri diku kishte më qenë një hap pozitiv. Vendet e rajonit ose vendet evropiane që kanë një Ligj të tillë e kanë një pozitë shumë më të mirë sa i përket prodhimit vendor, për vet faktin që ligjërisht caktohet një hapësirë deri në 30-40 për qind e lokalit për të qenë e dedikuar, ose e destinuar për prodhimin vendor. Kishte me qenë një lehtësi, por kjo nuk mjafton, është koha kur duhet të punohet në vetëdijesimin e qytetarëve që të jenë të orientuar drejt prodhimit vendor. Definitivisht është koha kur diplomacia ekonomike në Kosovë duhet të jetë më aktive për të prodhuar këto brende dhe vërtet ta kemi një vetëdije që nuk duhet vetëm të promovohet, por vetvetiu nga qytetarët të lind që në qoftë se një cent i shpenzuar në prodhimin vendor do të jetë në ndërtimin e shtetit të Kosovës, pse të mos e bëjmë këtë.

Të ngjashme